Korrupsioni në nivel të lartë, diskutohet për ashpërsimin e politikave ndëshkimore

Aktuale

Korrupsioni në nivel të lartë, diskutohet për ashpërsimin e politikave ndëshkimore

Nga: A.M. Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 12:33
Foto nga takimi

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, dhe zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, kanë pritur sot në takim kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, dhe gjyqtarin e kësaj gjykate, Agim Maliqi.

Në fokus të takimit ishte nevoja për një politikë më të ashpër ndëshkimore ndaj veprave penale që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës, si dhe ndaj rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.

Pjesëmarrësit diskutuan rëndësinë e trajtimit të këtyre veprave penale dhe forcimit të mekanizmave institucionalë në luftimin e dukurive që dëmtojnë funksionimin e shtetit dhe besimin e qytetarëve në drejtësi.

Një çështje tjetër e diskutuar ishte avancimi i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatës Supreme, me qëllim të koordinimit më të mirë institucional dhe zbatimit të përgjegjësive që u takojnë këtyre institucioneve, transmeton "Bota sot".

Sipas njoftimit, të dy udhëheqësit konfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, gjithmonë në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore.

Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin më efikas të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat