Forcat e sigurisë së Kosovës, së bashku me forcat partnere nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe Kroacia, kanë zhvilluar stërvitjen shumëkombëshe “VALOR SHIELD 2026”, e cila është mbajtur në disa lokacione në Kosovë.
Stërvitja ka bashkuar Forcat Operative Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës me njësitë partnere ndërkombëtare, me synimin e avancimit të aftësive në fushën e operacioneve speciale dhe forcimit të bashkëpunimit në aspektin e sigurisë.
Përmes një postimi, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë të ditur se ushtrimi kishte për qëllim edhe rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave pjesëmarrëse dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Në realizimin e këtij aktiviteti, rol të rëndësishëm kanë pasur Ambasada amerikane në Kosovë dhe Grupi i saj Ushtarak (MILGP), të cilët kanë mbështetur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur institucionet e sigurisë së Kosovës dhe për të ndërtuar partneritete më të forta me aleatët tanë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.