Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një sërë nismash për marrëveshje kredie dhe grantesh me institucione financiare ndërkombëtare, si dhe disa vendime që lidhen me ndarjet dhe transferimet buxhetore.
Në mesin e vendimeve të miratuara janë dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë që synojnë përmirësimin e sektorit të shëndetësisë.
Marrëveshja e parë është me Bankën Evropiane të Investimeve dhe ka të bëjë me projektin për “Përmirësimin e Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës”. Përmes këtij projekti parashihet blerja e pajisjeve të reja mjekësore, rehabilitimi i infrastrukturës për instalimin e tyre, si dhe trajnimi i ekipeve për mirëmbajtjen e pajisjeve.
Ndërkaq, marrëveshja e dytë është me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës, për projektin “Përmirësimi i Kujdesit Shëndetësor Sekondar dhe Terciar”.
Ky projekt parasheh modernizimin e pajisjeve mjekësore në gjashtë spitale publike, rinovimin e infrastrukturës spitalore dhe avancimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese. Gjithashtu, synohet rritja e qasjes në shërbime shëndetësore, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe grupet e cenueshme.
Përveç sektorit të shëndetësisë, Qeveria ka miratuar edhe disa nisma për marrëveshje grantesh dhe kredish në fushën e infrastrukturës, mjedisit dhe energjisë.
Njëra prej tyre është marrëveshja me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe KfW Frankfurt am Main, për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatur me Klimën – Ujërat e Zeza në Prishtinë”.
Po ashtu, është miratuar nisma për marrëveshjen e grantit ndërmjet Kosovës, KOSTT-it dhe KfW-së, për projektin “Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.
Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe nisma për marrëveshjen e grantit me Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave në Kosovë dhe KfW-në, për projektin “Menaxhimi i Mbetjeve të Ngurta II-IV”, me kontribut të Bashkimit Evropian.
Një tjetër vendim ka të bëjë me nismën për lidhjen e marrëveshjes së kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim, për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë.
Ndërsa në fushën e energjisë, kabineti qeveritar ka miratuar nismën për marrëveshjen e grantit me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, në cilësinë e administratorëve të Komisionit Evropian, për projektin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Gjatë mbledhjes, Qeveria ka miratuar edhe disa kërkesa që lidhen me menaxhimin e buxhetit.
Konkretisht, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave për realizimin e kursimeve dhe ndarjeve buxhetore, si dhe ndarja e mjeteve për mbulimin e mungesës së krijuar si pasojë e alokimit të parakohshëm.
Po ashtu, është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për transferimin e mjeteve buxhetore deri në 25 për qind të ndarjeve buxhetore të ndikuara negativisht.