Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Dux, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.
Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme hungareze që nga periudha e luftës, gjatë procesit të shtetndërtimit dhe përpjekjeve për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.
Presidentja ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Hungarisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Po ashtu, në takim është diskutuar edhe zbatimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Shiroka Pula ka vënë në pah nevojën për mbajtjen e takimit të ardhshëm të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve, me qëllim identifikimin e sektorëve me potencial dhe nxitjen e investimeve të reja.