Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përkujtuar policët Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në 23-vjetorin e vrasjes së tyre, duke i cilësuar dëshmorë të demokracisë.
Ajo ka thënë se Tolaj dhe Haklaj, pas çlirimit të Kosovës, nga luftëtarë të lirisë u bënë pjesë e Policisë së Kosovës, duke vazhduar misionin për ndërtimin e një shteti demokratik dhe sundimin e ligjit.
Gërvalla ka kujtuar se mëngjesin e 24 nëntorit 2003, teksa po shkonin në krye të detyrës zyrtare, ata u vranë në një pritë të organizuar.
"Jo për të gjithë ata që luftuan për lirinë e Kosovës, beteja përfundoi në qershor 1999. Për disa, liria e arritur ishte vetëm fillimi i një misioni tjetër: ta bënin Kosovën shtet demokratik, ku ligji do të ishte mbi çdo interes dhe ku askush nuk do të mund ta zëvendësonte autoritetin e shtetit me pushtetin e krimit", ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka bërë të ditur se në nderim të jetës dhe sakrificës së tyre, së bashku me ministrin Gashani, familjarë, miq e kolegë, kanë bërë homazhe te lapidari në Stacionin Policor në Pejë, në vendin e rënies së tyre në Raushiq, si dhe te varret në Pobërgjë dhe Koshare.
Në mesazhin e saj, Gërvalla ka theksuar se kujtimi për dy policët nuk është i mjaftueshëm, pasi shteti ka përgjegjësi që të sigurojë drejtësi për vrasjen e tyre.
"Sabahates e Isufit, Kosova, ky shtet e kjo Republikë, nuk ua ka borxh vetëm kujtimin. Ua ka borxh drejtësinë. Ua ka borxh drejtësinë e plotë. Ua ka borxh shtetin ligjor për të cilin luftuan deri në vetflijim", ka deklaruar ajo.
Në fund, Gërvalla ka bërë thirrje që ideali i tyre të jetësohet përmes një Republike të fortë, demokratike dhe të konsoliduar, ku drejtësia dhe ligji janë themel i përparimit.
"Lavdi e përjetshme Sabahate Tolajt dhe Isuf Haklajt!", ka përfunduar ajo.