Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka theksuar rëndësinë historike dhe kombëtare të 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si simbol të bashkimit, sakrificës dhe identitetit shqiptar.
Ajo mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, me rastin e festës së 28 Nëntorit, ku foli për rëndësinë e flamurit kuq e zi, historinë e përbashkët dhe lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Në fjalën e saj, Shiroka Pula rikujtoi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, duke vlerësuar kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin.
Ajo theksoi se flamuri kuq e zi, me shqiponjën dykrenare, përfaqëson simbolin e shtetit shqiptar dhe të gjithë kombit shqiptar, kudo që jeton.
Presidentja u ndal edhe te rëndësia e veçantë që kjo datë ka për historinë e Kosovës, duke rikujtuar se 28 Nëntori shënon katër ngjarje të rëndësishme: Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo vlerësoi sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e UÇK-së, duke theksuar se ajo ishte luftë për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë në vendin e vet.
Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Shiroka Pula tha se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën është ndërtuar ajo.
Në fjalën e saj, Presidentja përgëzoi Shqipërinë për përparimin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke shprehur shpresën që flamuri kuq e zi së shpejti të valëvitet edhe në Bruksel.
Ajo bëri thirrje që flamuri të nderohet përmes punës, dijes dhe përkushtimit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe kujtesës historike.
“Flamuri që valëvitet sot është amanet i brezave që luftuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën për të”, theksoi ajo.
Në përfundim, Shiroka Pula bëri thirrje për forcimin e lidhjeve dhe integrimin më të madh ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”, deklaroi Presidentja.