Mobilizim në KEK për rikthimin e bllokut B1, punëtorët vazhdojnë angazhimin edhe në orët e vona

Aktuale

Mobilizim në KEK për rikthimin e bllokut B1, punëtorët vazhdojnë angazhimin edhe në orët e vona

Nga: A.M. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 23:29
Punëtori i KEK-ut, Elbasan Nebihi gjatë angazhimit për rikthimin në operim të bllokut B1 të Termocentralit Kosova B.

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka publikuar pamje nga angazhimi i punëtorëve për rikthimin në operim të bllokut B1 të Termocentralit Kosova B.

Përmes një videoje, sindikata ka vënë në pah mobilizimin dhe përkushtimin e punëtorëve, të cilët po vazhdojnë punën edhe në orët e vona, me synimin që blloku B1 të rikthehet sa më parë në funksion.

Si shembull të këtij angazhimi, Sindikata e Re e KEK-ut ka veçuar Elbasan Nebihin, saldues në Termocentralin Kosova B dhe sindikalist, i cili, sipas tyre, po vazhdon të kontribuojë në këtë proces me profesionalizëm dhe përgjegjësi.

Në mbishkrimin e videos, sindikata ka vlerësuar punën e punëtorëve, duke theksuar se ata, pavarësisht lodhjes dhe sfidave, po japin maksimumin për KEK-un dhe sigurinë energjetike të vendit.

“KEK-u është shtëpia jonë, ndërsa punëtorët janë shtylla e saj!”, thuhet në reagimin e sindikatës, e cila ka shprehur krenari dhe mirënjohje për të gjithë punëtorët e angazhuar në rikthimin e bllokut B1 në operim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat