Adrenalinë, sfidë e pamje përrallore – gjërat që Via Ferrata Shpellat i ofron!

Alpinizem

Adrenalinë, sfidë e pamje përrallore – gjërat që Via Ferrata Shpellat i ofron!

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 14:34
Foto Ilustrim

Rrahjet e shpejta të zemrës që shkaktohen nga adrenalina e madhe përgjatë ngjitjes në Via Ferrata Shpellat, sigurisht se normalizohen kur sytë ballafaqohen me pamjet më përrallore të Rugovës së Pejës.

E ndërtuar për adhuruesit e natyrës, sfidës e kënaqësisë, Via Ferrata Shpellat ofron eksperiencë të paharrueshme dhe unike.

Ngjitja nëpër 7 shpella të ndryshme, duke përfshirë edhe Shpellën e Mbretëreshës dhe Shpellën e Mbretit, ju mundëson ta krijoni një kujtim të paharrueshëm, ndërkohë që udhërrëfyesit e Balkan Nature Adventure përveç asistimit jua shpjegojnë edhe historinë e ndërtimit të këtyre shpellave.

Ndonëse Via Ferrata Shpellat është ndërtuar së fundmi nga “Marimangat” me mbështetje nga fondet e RCC dhe implementim të Community Development Fund, faktikisht është e 4-ta e ndërtuar në Rugovë.

Përveç saj, “Marimangat” në Rugovë ofrojnë edhe tri mundësi tjera për ngjitje, të cilat janë:

– Via Ferrata “Ari” (Gjatësia 450 metra/ ngjitje 1 ore e 30min. / ecje 30-40 min. Total 2.30-3.00 min)

– Via Ferrata “MAT” (Gjatësia 500 metra/ ngjitje 1 orë e 30 min. / ecje 10 min. Total 1.40 min)

– Via Ferrata “MARIMANGAT” (Gjatësia 1 km./ ngjitje 4 orë e 30 min. / ecje 30 min. Total 5 orë)

Çka është “Via Ferrata” dhe çfarë ju ofron?

Via Ferrata, që në gjuhën italiane do të thotë “shteg i hekurt”, është shteg i siguruar me një fije të çeliktë dhe shkalla të siguruara në shkëmb, që u mundëson bjeshkatarëve të ngjiten në vende të cilat deri atëherë kanë mundur të shkojnë vetëm alpinistët më të trajnuar. Është një sistem që është zhvilluar për çështje të mbrojtjes gjatë luftës së parë Botërore në Itali dhe Austri e që më vonë është kthyer në sport dhe atraksion turistik.

Duke i provuar këto aktivitete me kolegë, shoqëri apo familjarë, ju do të mahniteni nga bukuritë natyrale të Rugovës teksa trupi ju mbushet me adrenalinë për t’u siguruar se çdo sekondë do të jetë i paharrueshëm gjatë tërë jetës!

Via Ferrata Shpellat është një produkt i ri aventuresk që është konstrukturuar përgjatë shtigjeve të çiklizmit Via Dinarica në Grykën e Rugovës dhe i cili do të rezultojë me krijimin e mundësive të reja për punësim, si dhe me zhvillimin dhe promovimin e destinacionit Via Dinarica.

Sa janë të sigurta këto aktivitete?

Ndonëse mund t’ju duken të rrezikshme e drithëruese, të gjitha këto aktivitete janë ndërtuar me standardet më të larta botërore dhe me sigurinë maksimale. Madje, për sigurinë e tyre edhe janë certifikuar nga organizata të ndryshme botërore për siguri.

Veç kësaj, secili prej aktiviteteve të lartcekura monitorohet e kontrollohet rregullisht për t’u siguruar që çdo gjë është në rregull.

Se siguria është maksimale e dëshmon edhe fakti se, ndonëse ka shumë vite prej kur janë ndërtuar, deri më tani nuk ekziston as edhe një aksident më i vogël!

Si mund t’i provoni këto aktivitete?

Të gjitha këto aktivitete kërkojnë pajisje adekuate dhe guida profesionale.

Kompania “Balkan Natural Adventure”, e themeluar nga Nol Krasniqi dhe Virtyt Gacaferri, duhet kontaktuar për një përvojë sa më profesionale e unike gjatë provimit të aktiviteteve të ndryshme.

Kompania është e krijuar për ta balancuar më të mirën: çmimin dhe kualitetin; kulturën dhe natyrën; kënaqësinë dhe aventurën.

Gëzim Murati, Donika Matoshi dhe Nol Krasniqi kanë qenë guidat profesioniste të ekipit për realizimin e kësaj storje, ndërkaq fotografi i njohur Dini Begolli ka qenë përgjegjës për sigurimin e pamjeve mbresëlënëse.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat