Londra rrezikon të mbetet pa atë që, sipas Sebastian Coe, president i Federatës Botërore të Atletikës, është “ngjarja e tretë më e rëndësishme sportive në një cikël katërvjeçar”.
Kryeqyteti anglez është një nga kandidatët për të pritur Kampionatin Botëror të Atletikës në ambient të hapur në vitin 2029, por përballet me një kundërshtar të fortë brenda vendit: futbollin.
Klubi Uest Ham nuk është i gatshëm të vërë në dispozicion stadiumin e tij, “London Stadium” (ish-Stadiumi Olimpik), pasi eventi atletik është planifikuar për në shtator, kohë kur sezoni futbollistik është në zhvillim. Klubi londinez do të duhej të hiqte dorë nga stadiumi për rreth tre javë, gjë që aktualisht nuk e konsideron të pranueshme.
Mbështetja nga qeveria dhe bashkia për kandidaturën nuk ka arritur ta ndryshojë qëndrimin e Uest Ham.
“Në lidhje me datat e mundshme për ofertën e propozuar, Uest Ham po zhvillon një dialog konstruktiv me menaxhmentin e ‘London Stadium’ dhe pret të marrë më shumë informacion.
Çdo vendim mbetet subjekt i klauzolës së përparësisë së klubit, një e drejtë kontraktuale që garanton se ndeshjet e Uest Ham kanë përparësi gjatë sezonit futbollistik”, thuhej në deklaratën zyrtare të klubit.
Afati fillestar për paraqitjen e kandidaturave për Botërorët e viteve 2029 dhe 2031 përfundon më 3 prill, ndërsa dosja përfundimtare duhet dorëzuar deri më 5 gusht. Aktualisht, përveç Londrës, në garë janë edhe Roma, Mynihu dhe Nairobi, si dhe një qytet i mundshëm nga India. Sebastian Coe, president i “World Athletics”, pranon se posti i tij e detyron të qëndrojë neutral, por nënvizon rëndësinë e këtij eventi: “Është e vështirë për mua, sepse kam një opinion, por duhet të jem plotësisht neutral, pasi Londra nuk është e vetmja kandidate.
Ajo që mund të them është se shpresoj të kuptohet se, përveç Lojërave Olimpike dhe Kupës së Botës, ky është eventi i tretë më i rëndësishëm sportiv në një cikël katërvjeçar”, deklaroi kreu i atletikës botërore, i cili më as shtoi: “U kërkoj qyteteve të përpiqen të përshtaten me nevojat tona. Duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për një sport me përmasa globale.
Kjo nuk është diçka që mund t’i jepet dikujt si dhuratë”, përfundoi Coe, i cili nuk duket i hapur ndaj ndryshimit të datave për të shmangur përplasjen me kalendarin e futbollit.