Shima mbetet i izoluar në Qipro

Basketboll

Shima mbetet i izoluar në Qipro

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 16:44
Shima mbetet i izoluar në Qipro

Ka qenë një periudhë e pafat për Gerti Shimën. Basketbollisti udhëtoi drejt Qipros së bashku me pjesën tjetër të basketbollistëve të kombëtares për dy ndeshje, mirëpo nuk ia doli të luante asnjërën prej tyre për shkak se rezultoi pozitiv me COVID-19. Kështu, prej datës 16 shkurt, Shima ka mbetur i izoluar në një hotel në Qipro, në pritje të përfundimit të karantinës 14 ditore.

Ndërkohë, këtë javë fillon edhe basketbolli në Shqipëri, teksa Tirana ndeshjen e parë  ndaj Eagles duhet ta luajë pa kapitenin e saj, i cili në një prononcim në RTSH Sport, thekson se autoritet në Qipro nuk lejojnë të ristestohet duke e detyruar të qëndrojë deri në fund të karantinës.

“Ndodhem prej datës 15 shkurt në Qipro dhe prej datës 16 shkurt i karantinuar në një dhomë hoteli. Prej asaj date jam ndarë me ekipin, ata janë kthyer të dielën. Unë vazhdoj të qëndroj i izoluar për arsye se kam dalë pozitiv dhe me rregullat e Ministrisë së Qipros, jam i detyruar të bëj 14 ditë karantinë dhe pas kësaj kohe jam i lirë të largohem. Nga informacionet që kam thjesht nuk kam të drejtë të ritestohem, duke qenë se herën e parë kam dalë pozitiv dhe rregullat këtu nuk ta lejojnë ritestimin.

Ndeshja e parë e sezonit luhet këtë fundjavë, nuk do jem pjesë sepse më datë 1 është e hënë dhe nuk e kap dot fillimin e kampionatit. Besoj se ekipi do të jetë gati sepse Tirana ka bërë stërvitje, ne kemi bërë stërvitje gjatë gjithë vitit. Terrene jashtë, por edhe brenda kur na është dhënë mundësia. Gjithsesi, i uroj çunave suksese dhe mezi pres të rikthehem pranë familjes, njerëzve të dashur dhe gjithë komunitetit të basketbollit dhe shoqërisë”, u shpreh Shima.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat