Trepça ka shënuar fitore ndaj skuadrës kroate të Splitit, me rezultat 94:88 (19:27, 32:19, 16:23, 27:19), në kuadër të ndeshjes së xhiros së shtatë të FIBA Europe Cup.
Ndeshja, e zhvilluar në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë, dhuroi rivalitet të madh dhe emocione deri në sekondat e fundit.
Çereku i parë i takoi skuadrës kroate, e cila krijoi epërsi prej tetë pikësh (19:27).
Megjithatë, në çerekun e dytë Trepça reagoi fuqishëm dhe përmbysi rezultatin. Mitrovicasit shkuan në pushim me epërsi prej 51:46.
Spliti u kundërpërgjigj në çerekun e tretë, duke rikthyer epërsinë dhe duke hyrë në 10 minutat e fundit me rezultat 67:69.
Në çerekun e fundit u zhvillua një luftë e fortë për çdo pikë. Në minutën e 34-t Trepça kaloi sërish në epërsi, 75:74, ndërsa në minutën e 37-të rezultati ishte 85:84.
Në fund, skuadra mitrovicase tregoi më shumë qetësi dhe arriti të triumfojë me rezultatin përfundimtar 94:88.
Te skuadra e Trepçës u dalluan Drilon Hajrizi dhe Andrew Thelwell me nga 18 pikë, ndërsa Jean-Pierre Tokoto kontribuoi me 16 dhe Dardan Kapiti me 13 pikë.
Te skuadra e Splitit më efikasi ishte Nick Johnson, me 30 pikë.
Pas kësaj fitoreje, Trepça renditet në vendin e tretë në Grupin A me 11 pikë, aq sa ka edhe Spliti, që pozicionohet një vend më lart.