Java e gjashtë e kampionatit kombëtar të basketbollit për femra është hapur nën shenjën e Flamurtarit.
Vlonjatet treguan forcën në përballjen direkte kundër Tiranës, duke i mundur vajzat bardheblu në sallën “Farie Hoti” me rezultatin e thellë 56-97.
Një takim i dominuar nga bregdetaret, të cilat u shkaktuan edhe humbjen e parë në kampionat kryeqytetaseve, për të kapur edhe vendin e parë në renditje.
Me një formacion tërësisht amerikan, Flamurtari e nisi me qasjen e duhur sfidën, duke marrë periodën e parë 11-22.
Miket e rritën edhe më shumë ritmin në çerekun e dytë, ndërsa Tirana nuk mundi t’i përgjigjej lojës së rivaleve. Kështu, vlonjatet e fituan fraksionin 13-27, duke shkuar në pushimin e madh në shifrat 24-49. Tirana pati një përmirësim të lehtë në periodën e tretë, por asnjëherë pa e vendosur në dyshim epërsinë e vlonjateve.
Vajzat bardheblu fituan 20-15, ndërsa pas 30 minutash lojë rezultati në tabelë shënonte 44-64 për bregdetaret. Çereku i fundit ishte për formalitet, me Flamurtarin që shpërtheu, duke fituar thellë 12-33, për të vulosur suksesin final në shifra të rënda, me +41 pikë diferencë. Nya Morris meritoi vlerësimin MVP, protagoniste absolute, duke udhëhequr vlonjatet me 43 pikë, 7 kërcime dhe 8 asistime. Për bardheblutë spikati Naijyah Pack-Maddox, me 24 pikë e 6 kërcime.