KB Peja ka marrë vendim për suspendimin e basketbollistit amerikan Daquan Bracey, pas një përplasjeje mes palëve që duket se ka kaluar edhe në rrjetet sociale.
Klubi pejan ka bërë të ditur përmes një njoftimi zyrtar se vendimi është marrë për shkak të sjelljeve të cilësuara si të papranueshme dhe joprofesionale të lojtarit ndaj klubit, bashkëlojtarëve dhe stafit të trajnerëve.
Në reagimin e tij, KB Peja thekson se Bracey ka dëmtuar edhe imazhin e klubit përmes deklaratave dhe postimeve fyese në rrjetet sociale ndaj tifozëve.
Megjithatë, basketbollisti amerikan nuk ka qëndruar i heshtur.
Ai ka reaguar përmes një story në Instagram, duke dhënë versionin e tij për atë që po ndodh dhe duke lënë të kuptohet se prapa këtij vendimi qëndrojnë probleme të brendshme.
“Fakti që tifozët më kërkojnë të bëj më mirë nuk do të më vrasë. Kam kaluar nëpër gjëra edhe më të vështira, por këto janë çështje të brendshme dhe po shpifin për mua. Kjo ndodh kur ngrihesh për veten. Nuk kam ofenduar askënd që nuk më ka ofenduar mua dhe për këtë betohem në Jezu Krishtin”, ka shkruar Bracey.
Kështu, situata mes klubit dhe basketbollistit amerikan është përshkallëzuar publikisht, ndërsa mbetet të shihet nëse palët do të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë.