KB Peja ka marrë vendim për suspendimin e basketbollistit amerikan Daquan Bracey, pas sjelljeve që klubi i cilëson të papranueshme dhe joprofesionale.
Përmes një njoftimi zyrtar të publikuar të hënën në faqen e saj, më 17 nëntor, KB Peja ka bërë të ditur se vendimi ndaj Bracey është marrë për shkak të sjelljeve ndaj klubit, bashkëlojtarëve dhe stafit të trajnerëve.
Klubi pejan e ka kritikuar gjithashtu lojtarin për deklaratat dhe postimet fyese në rrjetet sociale ndaj tifozëve të Pejës, duke vlerësuar se ato kanë dëmtuar imazhin e klubit.
“KB Peja nuk toleron sjellje që cenojnë profesionalizmin, respektin dhe vlerat e klubit”, thuhet në njoftimin e klubit.
KB Peja nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me kohëzgjatjen e suspendimit apo hapat e mëtejmë ndaj basketbollistit.