Dramë në Therandë, Bashkimi fiton përballjen e parë ndaj Yllit

Basketboll

Dramë në Therandë, Bashkimi fiton përballjen e parë ndaj Yllit

Më: 18 prill 2021 Në ora: 22:22
Dramë në Therandë, Bashkimi fiton përballjen e parë ndaj Yllit

Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit në udhëtim 79:94 (17:15, 19:28, 24:12, 15:20, 4:19) në çerekfinalen e parë të FIVE STAR Superligës së Kosovës në basketboll.

Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi 15:6, por një seri prej 0:9, e mysafirëve bëri që të barazohen shifrat në 15:15, kurse 10 minutat e parë përfundojnë 17:15. Prizrenasit vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, duke pasur epërsi konstante, kurse më të lartën e kishin 33:41, derisa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 36:43.

Por, në periodën e tretë bindshëm më të mirë ishin therandasit, që e fituan 24:12, ku rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 60:55. 10 minutat e fundit ishin mjaft interesante, me të dy skuadrat që dhanë maksimumin për fitore.

Prizrenasit nuk u dorëzuan dhe kaluan në epërsi 62:63. Bashkimi kishte epërsi katër pikë, 71:75, më pak se një minutë deri në fund, por Kastrati me katër pikë radhazi barazon shifrat në 75:75 dhe ndeshja shkon në vazhdime. E, në vazhdime shkëlqyen prizrenasit që fituan bindshëm 4:19, duke triumfuar në fund 79:94.

Te Ylli u dalluan Gëzim Morina me 17 pikë e 9 kërcime, Lg Gill dhe Erjon Kastrati me nga 18 pikë, kurse te Bashkimi u dalluan Obinna Oleka me 30 pikë e 15 kërcime dhe Christian Lutete me 18 pikë.

Skuadra që shënon dy fitore do të kualifikohet në gjysmëfinale, ku e pret Rahoveci. Takimi i dytë do të zhvillohet të martën në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat