Dushku, mysafire nderi në programin FIBA Time Out 2.0

Basketboll

Dushku, mysafire nderi në programin FIBA Time Out 2.0

Më: 9 korrik 2021 Në ora: 22:39
Dushku, mysafire nderi në programin FIBA Time Out 2.0

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, sot ka qenë mysafire nderi në programin FIBA Time Out 2.0, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës së Basketbollit të Letonisë, Kaspars Cipruss.

Qëllimi kryesor i këtij sesioni ka qenë një prezantim i shkurtër i veprimtarisë, udhëtimi nëpër karrierë dhe roli specifik i Sekretarit të Përgjithshëm në një federatë kombëtare.

Më saktësisht Dushku dhe Cipruss para studentëve të programit FIBA Time – Out 2.0 kanë folur për atë se çfarë përfshin puna e Sekretarit të Përgjithshëm, rolet dhe përgjegjësitë, detyrat kryesore, puna me grupet e interesit, menaxhimi i stafit, mënyra e të raportuarit, si dhe komunikimi me faktorët e brendshëm dhe të jashtëm.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka folur për karrierën e saj si basketbolliste, më pas si gazetare e sportit, koordinatore në KBF Prishtina, për punën vullnetare të saj në Organizatën për Edukimin Sportiv në Kosovë (OESK), si dhe për punën në FBK-së si zyrtare për marrëdhënie me publikun dhe krejt në fund, viti 2017 e tutje, për punën e saj në FBK në rolin e Sekretares së Përgjithshme.

“Mesazhi që unë dhe kolegu im nga Federata e Letonisë kemi dashur t’ua përcjellim studentëve të programit FIBA Time Out ishte që ata të kuptojnë ndryshimin midis perceptimit të këtij roli dhe realitetit, por gjithashtu ne kemi folur edhe për presionet, por edhe përfitimet e të qenit Sekretar i Përgjithshëm”, ka thënë Dushku për faqen zyrtare të FBK-së.

Duhet theksuar se programin FIBA Time – Out 2.0 është duke e ndjekur me mjaft sukses Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, derisa Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka diplomuar në këtë program në vitin 2018.

Ky projekt është unik dhe ka në shënjestër lojtarët elitë që janë pensionuar së fundi nga basketbolli dhe të cilët dëshirojnë të vazhdojnë karrierën e tyre në sportin jashtë fushës, ndërsa përbëhet nga një listë mbresëlënëse, me emra të nderuar, duke përfshirë këtu kampionë olimpikë, evropianë dhe në nivel të klubeve.

Ky program zgjatë dy vjet, derisa në fund pjesëmarrësit e tij pritet të certifikohen nga FIBA dhe partnerët e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat