Rikthim i madh i Yllit, mposht Pejën në derbi

Basketboll

Rikthim i madh i Yllit, mposht Pejën në derbi

Më: 27 janar 2022 Në ora: 22:19
Rikthim i madh i Yllit, mposht Pejën në derbi

Një ndeshje e jashtëzakonshme u zhvillua ndërmjet Pejës dhe Golden Eagle Yllit, duke vërtetuar epitetin e derbit, ku fitore shënoi skuadra therandase me rezultat 87:90 (22:20, 27:18, 22:20, 16:32), në kuadër të xhiros së nëntë të Ligës Unike.

Çereku i parë i ndeshjes ishte i barabartë, ku epërsia më e lartë, u takoi mysafirëve 10:16, por më pas kjo epërsi u shkri dhe pejanët arrijnë që këtë pjesë ta fitojnë me dy pikë dallim, 22:20. Vendasit vazhduan me lojë shumë të mirë në periudhën e dytë, për të arritur epërsinë më të lartë në ndeshje 16 pikë, 42:26 dhe e kontrolluan lojë deri në fund të pjesës së parë që përfundoi 49:38, ndërsa mysafirët e ndienin mungesën e Erjon Kastratit të lënduar.

Perioda e tretë u karakterizua si e barabartë, me kampionët që tentuan të rikthehen, por ‘humbën’ edhe dy lojtarë, Ardit Pepaj dhe Aj Sumbry, që u ndëshkuan me pesë gabime personale. Në këtë pjesë vendasit ruajtën epërsinë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 71:58. Në fillim të çerekut të fundit, për shkak të lëndimit u largua Stephen Maxwell, ndërsa therandasit bënë rikthim të madh dhe të pabesueshëm.

Ata arritën që të shkrijnë epërsinë në 72:71, ku u dallua ish-basketbollisti i Pejës, Henrik Sirko, i cili shkëlqeu në këtë pjesë, i ndihmuar nga Gëzim Morina, ndërsa tre minuta nga fundi, kaluan në epërsi 80:81. Ata, madje e ngritën epërsinë në 83:88, megjithatë, vendasit shënojnë katër pikë shpejt për 87:88, kurse pikët e fundit i shënoi Leon Neziri për rezultatin 87:90, ndërsa gjuajtja e fundit e Dardan Berishës për tri pikë ishte e pasaktë dhe Ylli triumfoi në derbin e Ligës Unike.

Te Peja u dallua Stephen Maxwell me 32 pikë e gjashtë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Henrik Sirko me 24 pikë e 11 kërcime dhe Gëzim Morina me 22 pikë e tetë kërcime.

Peja ka gjashtë fitore dhe tri humbje, kurse Golden Eagle Ylli ka tetë fitore dhe një humbje.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat