Prishtina fiton gjysmëfinalen e parë

Basketboll

Prishtina fiton gjysmëfinalen e parë

Më: 30 mars 2022 Në ora: 18:24
Prishtina fiton gjysmëfinalen e parë

Prishtina ka shënuar fitore ndaj Trepçës në gjysmëfinalen e parë të “Play-offit” me rezultat 76:64 (19:7, 16:14, 21:19, 20:24). Ndeshja e dytë zhvillohet në Mitrovicë, ndërsa skuadra që shënon dy fitore do të kualifikohet në finale.

Skuadra prishtinase e nisi ndeshjen shumë më mirë me një seri prej 13:2 dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishte në epërsi, duke e fituar këtë pjesë 19:7. Periudha e dytë ishte më e barabartë në krahasim me të parën. Prishtinaset arritën epërsi deri në 17 pikë, 31:14, ndërsa pjesa e parë përfundoi 35:21.

Edhe perioda e tretë ishte e ngjashme me atë të dytën, ku vendaset për dy pikë ishin më të mira, 21:19. Ato arritën epërsi deri në 18 pikë, 46:28, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 56:40. Në dhjetë minutat e fundit, mitrovicaset u afruan në vetëm pesë pikë, 58:53, por pa arritur të bëjnë më shumë dhe kryeqytetaset triumfuan 76:64.

Te Prishtina u dalluan Agnesa Rrahmani me 22 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime, Stasha Carey me 16 pikë e dhjetë kërcime dhe Arbnore Përquku me 15 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime, ndërsa te Trepça u dalluan Kelly Santos me 14 pikë e 15 kërcime dhe Tasharra Jeffries me 35 pikë e pesë kërcime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat