Dramë në Prishtinë

Basketboll

Dramë në Prishtinë

Më: 2 prill 2022 Në ora: 23:23
Kastrati

Në një ndeshje shumë interesante dhe dramatike, Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 71:74 (16:24, 11:18, 25:13, 19:19), në xhiron e 25-të të Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.

Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, me një seri prej 2:9, dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishin në epërsi, ku më e larta ishte dhjetë pikë, 14:24, kurse kjo pjesë përfundoi 16:24.

Prishtinasit rikthehen në periudhën e dytë, për të afruar shifrat në 24:26, dhe më pas kampionët hyn në një seri të suksesshme, duke shkuar në pushim me rezultat 27:42. 

Kryeqytetasit nuk dorëzohen dhe dalëngadalë afrohen në rezultat, ku pas 30 minutash ishte 52:55, duke e bërë sfidën shumë interesante. Kështu edhe ndodhi.

Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua një përballje shumë interesante dhe dramatike, ku fituesi u vendos në sekondat e fundit. Në minutat e fundit, rezultati sa barazohej dhe sa njëra skuadër kalonte në epërsi e sa tjetra, por në fund vendimtar ishte Erjon Kastrati me një tre pikësh në sekondën e fundit, për të vulosur fitoren. 

Te Sigal Prishtina u dalluan Wendell Mitchell me 20 pikë dhe Biram Faye me 10 pikë e 11 kërcime, kurse te Golden Eagle Yllit përveç Kastrati që shënoi tre pikët vendimtare dhe në total kishte 16 pikë, u dalluan edhe Henrik Sirko me 20 pikë, pesë kërcime e katër asistime dhe Mikaile Tmusiq me 14 pikë e nëntë kërcime.

Sigal Prishtina ka 12 fitore e 13 humbje, kurse Golden Eagle Ylli ka 19 fitore e gjashtë humbje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat