Memnun pas rikthimit tek Prishtina: Erdha për trofe

Basketboll

Memnun pas rikthimit tek Prishtina: Erdha për trofe

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 14:22
Memnun

Në sezonin e ri garues të Superligës së Kosovës në basketbollin e meshkujve, Prishtina do të kërkojë titullin e kampionit me një trajner të ri.

Klubi nga kryeqyteti pak ditë më parë ka zyrtarizuar në krye të skuadrës trajnerin turk me prejardhje shqiptare, Ekrem Memnun.

Memnun vjen te Prishtina pas aventurës së tij te skuadra e famshme turke Galatasaray te meshkujt dhe për të, ky është një rikthim te klubi i kryeqytetit pasi e kishte drejtuar atë 19 vite më parë, përkatësisht në vitet 2003-2005.

Me të zbarkuar në Prishtinë, ai foli për KP, intervistë të cilën e nisi në gjuhën shqipe. Edhe pse me vështirësi, shprehu kënaqësinë pas rikthimit te skuadra bardhekalter.

Memnun: Jam shumë i kënaqur që kam ardhur këtu

“Fenomenal. Unë i njoh kush është në klub. Kam qenë këtu para 19 viteve. I di kushtet, e di mentalitetin. I njoh njerëzit, jam shumë i kënaqur që kam ardhur këtu”, u shpreh shkurtimisht në gjuhën shqipe Memnun.

Ai rrëfen se ishte ish-basketbollisti Florian Miftari, i cili e bindi që të marr drejtimin e Prishtinës.

“Florian Miftari më kontaktoi mua i pari. Ai ishte kapiteni i ekipit tim kur unë e drejtoja Prishtinën shumë vite më parë, kështu që unë i njoh këta njerëz, e njoh klubin, kam punuar këtu. Floriani më kontaktoi dhe i thash të më emërojë në këtë pozitë dhe i kërkova të takohemi duke ardhur në Prishtinë, biseduam dhe le të shohim çfarë do të ndodhë. Erdha në Prishtinë për një ditë, kaluam një ditë së bashku, folëm për klubin, për qëllimet, për situatën, për atë se çfarë duam të bëjmë, nëse unë mund të ndihmoj dhe u binda dhe po ndihem shumë mirë këtu.”, vazhdoi ai.

Trajneri që korri suksese të mëdha në basketbollin e Turqisë, ka vendosur objektivat e tij me Prishtinën e që nuk janë asgjë më pak se trofetë.

“Prishtina dëshiron të fitojë trofe, ata duhet të fitojnë trofe. Ne duam të luftojmë në çdo garë që marrim pjesë në secilën ligë. Objektivi ynë është që të fitojmë. E dimë që kemi kundërshtarë të fortë, e dimë për çfarë do të luftojmë dhe me kë do të luftojmë, kështu që Prishtina do të jetë atje, gjithmonë në majë, të luftojmë për pozitat e larta. Duam t’ju japim kënaqësi tifozëve dhe ta sjellim Prishtinën klub për të cilin ata janë krenarë”, deklaroi Memnun.

Nuk mungoi as paralajmërimi për rivalët e elitës së basketbollit.

“Asgjë nuk është e lehtë. Ne i respektojmë të gjitha ekipet tjera, e dimë që janë të mirë, ky është realiteti, por jo nuk është nën kontrollin tonë, çfarë ata bëjnë, si luajnë. Ekipi i vetëm që mund ta kontrollojmë është i yni, kështu që ne do të jemi në më të mirën tonë, të jemi kompetitiv dhe të uritur për gjërat që po mendojmë t’i arrijmë dhe çdo ditë do t’i ndjekim objektivat tona dhe të punojmë fuqishëm për ato”, theksoi ai.

I entuziazmuar me ardhjen e Ekrem Memnun në krye të skuadrës u shpreh edhe kryetari i klubit, Burim Maraj, i cili i premtoi trajnerit se do të ketë përforcime të reja para sezonit të ri.

“Po besoj që trajneri duhet të jetë pika kyçe. Normal, gjithmonë duhet nisur me një trajner i cili ka ambicie. Ky është trajner që ka ambicie të mëdha për ta çuar klubin përpara edhe po besoj që do t’ia arrijmë. Do të ketë ndryshime, normal që do të ketë ndryshime. Ndryshimet shpresojmë të jenë adekuate. Jemi duke e ndërtuar një ekip bashkë me trajnerin, për atë edhe e kemi thirrur që të vijë pak më herët, për dy-tre ditë e kemi këtu. Kemi punuar me të, kemi kontaktuar lojtarë, po besoj që është duke u ndërtuar një projekt shumë, shumë seriozë, dhe shumë shpejtë njerëzit që na përcjellin do të njoftohen me prurjet e reja”, tha Maraj.

Memnun, përpos skuadrës turke Galatasaray, ka drejtuar edhe ekipet Anadolu Efes e Daruşşafaka. Është fitues i EuroLeague me Galatasaray (femrat) dhe timonier i kombëtares turke (femrat).

Ai po ashtu posedon çmime individuale si: trajner i vitit në Kosovë (2005), trajner i vitit në EuroLeague (2014) dhe trajner i vitit në Superligën Turke (2015).

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat