Miami fiton sfidën e parë ndaj Celtics

Basketboll

Miami fiton sfidën e parë ndaj Celtics

Më: 18 maj 2023 Në ora: 12:48
Pamje nga ndeshja MIami - Boston

Kanë nisur me një surprizë finalen e Konferencës së Lindjes në NBA.

Miami fitoi sfidën e parë, duke mundur në transfertë Boston me rezultatin 123:116.

Një triumf i vërtetë për Heats, që jo vetëm marrin kryesimin e serisë, por përmbysin menjëherë edhe faktorin fushë.

Njeriu i fitores për Miami ishte Jimmy Butler, që në këtë “post-season” është kthyer në ditët e tij më të mira.

Ylli i skuadrës nga Florida ishte shënuesi më i mirë i sfidës me 35 pikë, ndërsa paraqitjes së tij spektakolare i shtoi gjithashtu 5 topa të kapur në tabelë dhe 7 asist për shokët e ekipit.

Në një mbrëmje të mirë edhe Adebayo me 20 pikë, ndërsa loja e skuadrës bëri diferencën, pasi edhe tre basketbollistë të tjerë të Heats e mbyllën ndeshjen me më shumë se 15 pikë.

Nga ana tjetër, për Celtics nuk mjaftoi i zakonshmi Jayson Tatum. Ylli i kampionëve në fuqi të Lindjes shënoi 30 pikë me një përqindje shumë të lartë në gjuajtjet e tij. Për Jaylen Brown 22 pikë, ndërsa me dy shifra dopjo 13 pikë dhe 11 asist u mbyll ndeshja për Marcus Smart.

Fitorja në finalen e parë i jep epërsinë Miami, që kërkon një tjetër suprizë të madhe në ndeshjen e dytë që do të luhet sërish në “TD Garden” të Boston.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat