Larkin dhe Efes shtangin Athinën

Basketboll

Larkin dhe Efes shtangin Athinën

Më: 24 prill 2025 Në ora: 23:23
Pamje nga ndeshja

Dita e tretë e Play off-it dhuroi një emocion të madh teksa në Oaka Arena të Athinës, Anadolu Efes arriti të fitojë në sekondat e fundit ndaj Panathinaikos 76-79 me një përmbysje të pabesueshme.

Tashmë seria është e barabartë 1-1 dhe javën e ardhshme do të luhen dy ndeshje në Stamboll ku fituesi i 3 ndeshjeve kualifikohet në Final Four të Abu Dabit.

Ndeshja nisi menjëherë mirë për Panathinaikos me 8 pikë avantazh në aksionet e para dhe sa më shumë kalonin minutat, skuadra greke thellonte avantazhin deri sa preku 15 pikë plus në periodën e dytë. Të gjelbërit po dominonin në të gjitha mënyrat në sulm por në periodën e dytë, Efes kuptoi se si ti godiste dhe ishte nëpërmjet depërtimeve në zonë.

Si rrjedhoje diferenca u ul në 6 pikë në përfundim të pjesës së parë. Me nisjen e periodës së tretë Panathinaikos krijon edhe një herë avantazh deri në 14 pikë kjo falë gabimeve të vetë Efes që skuadra helene i kthente në kundërsulme dhe kosha.

Perioda e tretë mbyllet me 10 pikë avantazh për Panathinaikos falë edhe koshit spektakolar të Slukas në sekondën e fundit.

Në periodën e katërt, Ataman vendos të luajë me formacion shtatshkurtër për shkak se qendrat kryesore ishin të ngarkuar me faulla e si rrjedhoje nis të përfitojë Efes. Dozier shënon 4 kosha radhazi dhe gjithçka kthehet në diskutim në 5 minutat e fundit.

Nis të shënojë edhe pjesa tjetër e skuadrës por momenti final është i veçantë me Larkin pasi me trepikëshin e tij i jep avantazhin e parë të ndeshjes 3 minuta nga fundi. Më tej loja bëhet tejet agresive, Poirier shënon një gjuajtje të lirë dhe diferenca me 4 pikë avantazh për Efes,

Nunn shënon trepikësh dhe diferenca shkon në 1 pikë, më tej 2 gjuajte të lira të Larkin dhe sërish Efes me 3 pikë avantazh, ndërsa tentativa e fundit e Nunn për tre jo e saktë por dhe me një dyshim të madh për një faull që mund të akordohej. Sidoqoftë, Efes fiton dhe tashme i drejtohet Stambollit me shpresën e suksesit të dy ndeshjeve dhe të kualifikimit në Final Four.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat