Majlinda Avdijaj: Lidhja ime me numrin 7 është e veçantë

Basketboll

Majlinda Avdijaj: Lidhja ime me numrin 7 është e veçantë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 20 korrik 2025 Në ora: 16:41
Majlinda Avdijaj

Në periudha të ndryshme ka pasur basketbolliste cilësore, njëra prej tyre është edhe Majlinda Avdijaj.  

Kontributi i saj ndër vite ka qenë i padiskutueshëm sidomos në fanellën e ekipit të Bashkimit nga Prizreni.

Numri 7 është i veçantë për Majlindën duke e lidhur me vitin 2007, ku arriti popullaritetin më të madh në basketboll.

Image

“Bota sot”: Ku gjendet Majlinda Avdijaj sot dhe pse është e lidhur ngushtë me numrin 7?

Majlinda Avdijaj: Jetoj në Prizren, aty ku jam lindur dhe jam rritur. Sot jam nënë e dy fëmijëve dhe prej 18 vitesh ushtroj profesionin e mësueses, një rol që e dua pafund. Lidhja ime me numrin 7 është e veçantë. Që kur kam veshur fanellën me këtë numër, dëgjoja nga tribuna thirrjet për “7-shin” që më jepnin energji. Simbolika nuk ndalet aty: pas 7 vitesh nga lufta, më 2007, fituam kampionatin dhe Kupën. 

Po atë vit diplomova si mësuese dhe fillova punën në paralelen e 7-të. Në fund të karrierës, lamë 7 kupa në arkivë një cikël i përkryer.

“Bota sot”: Si e shihni basketbollin e pasluftës krahasuar me basketbollin e sotëm?

Majlinda Avdijaj: Basketbolli ka evoluar. Sot ka më shumë cilësi teknike dhe përgatitje. Megjithatë, kohët tona ishin të pasionit, të shpirtit, të sakrificës. Luanim me zemër dhe me dashuri të pakushtëzuar për fanellën.

“Bota sot”: Pse gjithmonë derbi me Universitetin ju rritej temperamenti?

Majlinda Avdijaj: Derbi me Universitetin ishte më shumë se një ndeshje … ishte krenari, emocion, rivalitet. Kishim histori të gjatë me to dhe e donim fitoren me çdo kusht. Përballjet tona ishin të forta, por të mbushura me pasion dhe respekt.

“Bota sot”: Cili është pengu më i madh në karrierën tuaj sportive?

Majlinda Avdijaj: Pengu im nuk është që nuk dhamë më shumë por që rrethanat na ndalën të tregojmë veten përtej Kosovës. Kishim talent, përkushtim dhe shpirt gare, por mungesa e kushteve dhe mundësive për daljet ndërkombëtare na privoi nga ajo që mund të ishte një karrierë më e gjerë. E shoh këtë si motivim për brezat e rinj që të mos ndalojnë përballë kufizimeve, por të luftojnë për më shumë.

“Bota sot”: Cila ndeshje ju mbetet në kujtesë për të mirë dhe për të keq?

Majlinda Avdijaj: Ndeshja që më mbetet në kujtesë për të keq është ajo kur humbëm vetëm për një pikë ndaj KB Universitetit. Luajtëm në sallën "Dilloni Benz", një ambient që ende me ngjall kujtime sa herë e kujtoj. Humbja ishte e rëndë, sepse ishim shumë pranë fitores, dhe emocioni i atij momenti ka mbetur i pashlyer.

Nga ana tjeter, ndeshja qe me mbetet në kujtesë për të mirë është ajo e vitit 2007, kur u shpallëm kampion dhe ngritëm kupën në Prizren. Emocion i papërshkrueshëm, sepse për herë të pare pas 7 vitesh u realizua ëndrra ime në mesin e tifozëve tanë, "Arpagjikët".

Ishte ndjenje krenarie dhe nderi nje moment që do të mbetet gjithmonë në zemrën time.

“Bota sot”: Cili ka qenë momenti më i pazakontë në karrierën tuaj?

Majlinda Avdijaj: Momenti më i pazakontë ishte kur u shpërbë(u prish) klubi për arsye të ndryshme. Ishte një tronditje për të gjithë, sepse për ne klubi ishte familje dhe identitet.

“Bota sot”: A do të riktheheni ndonjëherë në parket, këtë herë si trajnere?

Majlinda Avdijaj: Po, e kam menduar kete edhe pse kam pasur ftese … do t’me pëlqente ideja t’ua përcjell brezave të rinj pasionin, disiplinën dhe dashurinë për sportin. Më shumë se rezultate, kisha dashur t’ju lë një vizion  që çdo njeri të lërë gjurmë përmes karakterit dhe përkushtimit.

“Bota sot”: A mendoni se Bashkimi sot duhet të jetë më aktiv me lojtare vendore?

Majlinda Avdijaj: Po. Mendoj që Bashkimi dhe të gjitha klubet duhet të investojnë më shumë te lojtaret vendore. Ka shumë vajza me potencial, por u duhet motivim dhe hapësirë. Është koha të rritim frymën e besimit në gjeneratat tona.

“Bota sot”: Cila ka qenë basketbollistja me të cilën keni pasur më së shumti telashe në duele?

Majlinda Avdijaj: Arbnore Perçuku dhe Diellza Shaqiri nga K.B“Universiteti” Me Diellzën na bashkonte një gjë: askush s’na zinte dot! Të dyja ishim lojtare që përshkonim parketin sikur të ishim me motor me kilometrazh të lartë, siç themi ne. Loja me të ishte gjithmonë sfidë, por edhe kënaqësi, sepse shpejtësia e saj më mbante gjithmonë në ‘gati’ (e pergaditur) dhe më shtynte të jem më e mirë.”

“Bota sot”: A i mungojnë basketbollit të sotëm profilet si Adelina Çipa, Anduena Rifati, Majlinda Avdijaj, Advije Berisha?

Majlinda Avdijaj: Pa dyshim, ajo gjeneratë ishte e pasionit dhe e shpirtit luftarak. Sot ndoshta ka më shumë teknikë, por më pak shpirt. Kur dikur luanim, Prizreni krenohej me vashat që mbronin ngjyrat e qytetit. Ne ishim zë dhe fytyrë e klubit. Të përmendësh emrat e lartpermendur është të kujtosh një epokë të vërtetë të basketbollit të femrave në Kosovë.Ne e dinim qe sporti nuk është vetëm lojë është shkollë jete. 

“Bota Sot”: Cila është porosia juaj për gjeneratat e reja?

Majlinda Avdijaj: Të punojnë me shpirt dhe nje qëllim. Të kenë një mision, një vizion. Të mos ndjekin vetëm fitore të shpejta, por të lënë mbresa njerëzore, të jenë edukative, të qëndrueshme. Mendoj qe sporti është mënyrë jetese  dhe duhet jetuar me dinjitet dhe dashuri.

Per fund dua te them qe nese SPORTI më mësoi një gjë, është kjo: Shiko larg, Mendo pastër dhe Lë një gjurmë aty ku kalon. Nuk ka rëndësi sa je në fushë, por çfarë vlere mbjell te të tjerët..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat