Ka përfunduar Seminari për Trajnerët e Basketbollit për grupmosha të reja.
Seminari që filloi ditën e premte dhe vazhdoi gjatë fundjavës është organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës dhe Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).
Seminari është përkrahur nga Solidariteti Olimpik, fondacioni më i madh në kuadër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), për zhvillim të sportit në vende të ndryshme të botës e po ashtu edhe nga FIBA, shtëpia e basketbollit botëror.
Në ditën e tretë, kanë ligjëruar eksperti i njohur ndërkombëtar i basketbollit, Arik Shivek, si dhe trajneri kondicional Agron Haliti.
Të dy kanë ligjëruar për tema të rëndësishme për trajnerët që punojnë me grupmosha të reja, veçanërisht për U14 e më të rinj.
Në fund, Diellza Kelmendi, Koordinatore e Vlerave Olimpike në Akademinë Olimpike në Komitetin Olimpik të Kosovës së bashku me Granit Rugovën, Drejtor i Projekteve dhe Programeve Zhvillimore në Federatën e Basketbollit të Kosovës kanë nderuar me mirënjohje Arik Shivek dhe Agron Haliti, ndërsa trajnerët pjesëmarrës janë pajisur me certifikatën e pjesëmarrjes.