Superkupa, të hënën luhet për trofeun e parë të sezonit

Basketboll

Superkupa, të hënën luhet për trofeun e parë të sezonit

Më: 26 shtator 2025 Në ora: 16:19
Pamje nga ndeshja

Basketbolli shqiptar do të hapë këtë të hënë sezonin e ri me finalet e Superkupës, takime që FSHB ka vendosur që t’i zhvillojë në kryeqytet, në sallën “Feti Borova”.

Fillimisht, në orën 17:00 do të zhvillohet finalja e femrave ndërmjet Flamurtarit dhe Tiranës.

Vlonjatet vijnë me statusin e kampioneve në fuqi, ndërsa vajzat bardheblu si fituese të Kupës. Flamurtari është skuadra fituese në fuqi edhe e Superkupës, ndërsa mban rekordin në këtë kompeticion, të cilin e ka bërë të sajin plot 15 herë, me Tiranën që numëron 3 suksese në këtë event.

Në mbrëmje, në orën 20:00, do të zbresin në parket Besëlidhja dhe Vllaznia, me Superkupën e meshkujve që do të vendoset nga derbi i veriut.

Lezhjanët janë fitues në fuqi si të kampionatit, gjithashtu edhe të Kupës, ndërsa shkodranët vijnë si finalistë të Kupës nga edicioni i kaluar. Besëlidhja është gjithashtu edhe fituese e Superkupës në edicionin e kaluar, suksesi i vetëm në historinë klubit në këtë event, po aq triumfe sa numëron edhe Vllaznia.

Ekipi rekordmen për trofetë e Superkupës është Tirana, e cila e ka fituar 9 në raste kompeticionin që për herë të parë ka nisur të organizohet në vitin 1999.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat