​Basketboll: Ndeshje e zjarrte sonte në Pallatin e Rinisë

Basketboll

​Basketboll: Ndeshje e zjarrte sonte në Pallatin e Rinisë

Më: 1 tetor 2025 Në ora: 08:49
Foto ilustrim

Sigal Prishtina, e nis sot rrugëtimin e saj në sezonin e ri të European North Basketball League (ENBL). Bardhekaltrit do të përballen me ekipin norvegjez BC Gimle në ndeshjen e parë të këtij edicioni, e cila zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.

Për Prishtinën kjo do të jetë herë e dytë që merr pjesë në këtë ligë evropiane, ku synimi është të shkojë sa më larg në garë. Skuadra nga kryeqyteti do të luajë gjithsej tetë ndeshje në fazën e grupeve, katër si vendas dhe katër si mysafirë.

Në këtë edicion të ENBL-së, për herë të parë do të garojë edhe skuadra tjetër kosovare, KB Peja, çka e bën pjesëmarrjen kosovare edhe më domethënëse në arenën ndërkombëtare.

Kundërshtarët e Prishtinës në këtë sezon janë:

BK Opava (Çeki), BC Gimle (Norvegji), Brussels Basketball (Belgjikë), Slovan Bratislava (Sllovaki), Tindastoll Saudarkrokur (Islandë), Keila Coolbet (Estoni), Manchester Basketball (Britani e Madhe), KK Dinamo Zagreb (Kroaci)

Prishtina kërkon të nisë me fitore para tifozëve të saj dhe të hedhë hapin e parë drejt kualifikimit në fazat e mëtejshme të garës. Sfida e mbrëmjes së sotme premton spektakël dhe emocione në kryeqytet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat