Her World, Her Rules për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave

Basketboll

Her World, Her Rules për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave

Më: 11 tetor 2025 Në ora: 12:33
Pamje nga aktiviteti

Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) organizoi një aktivitet të veçantë në kuadër të kampanjës Her World, Her Rules

Eventi u mbajt në Shkollën e Gjelbër në Prishtinë, ku atmosfera ishte plot energji, buzëqeshje dhe frymëzim.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, theksoi rëndësinë që vajzat të qëndrojnë pranë basketbollit dhe të mos heqin dorë kurrë nga pasioni për sportin.

Në këtë ditë morën pjesë basketbolliste, ish-basketbolliste dhe trajnerë, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe motivuan gjeneratën e re të vajzave që ëndërrojnë të arrijnë majat.

Marigona Rushiti, Era Shatri, Besjana Martinaj dhe Agnesa Rrahmani dhanë mesazhe frymëzuese për vajzat që të mos dorëzohen kurrë, ndërsa trajneri Egzon Uka udhëhoqi një stërvitje argëtuese, duke theksuar rëndësinë e basketbollit për shëndetin dhe jetën e përditshme.

FBK vazhdon me aktivitete të kampanjës ndërkombëtare Her World, Her Rules, pjesë e programit FIBA Europe Girls’ Program për të 7-in vit me radhë – një projekt që fuqizon, motivon dhe frymëzon vajzat përmes sportit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat