Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj mbylli të hënën javën e shtatë për sezonin e rregullt.
Një javë që dhuroi përballje dhe rezultate interesante, ndërsa Besëlidhja mbetet superfuqia e kampionatit, si e vetmja skuadër e pamposhtur.
Si gjithnjë, Federata Shqiptare e Basketbolli ka publikuar edhe top performancat e javës, duke iu referuar statistikave individuale të lojtarëve. Vlerësimin MVP të javës së shtatë e ka merituar Christain Taylor i Pogradecit, i cili pati një paraqitje fantastike në ndeshjen kundër Teutës.
Megjithatë, edhe pse me tripletë dyshifore, amerikani nuk mjaftoi për t’i dhënë suksesin e parë në kampionat skuadrës liqenore, e cila mbetet e zhytur në vendin e fundit të renditjes. Taylor mund të gëzohet me performancën individuale kundër durrsakëve, teksa regjistroi eficencën më të lartë, 47, duke koleksionuar 31 pikë, 13 kërcime dhe 10 asistime.
Në formacionin më të mirë bën pjesë edhe Arlando Arnold i Vllaznisë, i cili bëri diferencën në suksesin që shkodranët arritën në shtëpi kundër Fierit. Amerikani kuqeblu e mbylli ndeshjen me 18 pikë, 18 kërcime dhe të asistime, duke fiksuar eficencën 38, e dyta më e lartë për këtë javë.
Vend të top-5 ka edhe për David Murray të Kamzës, i cili spikati në takimin përmbyllës të javës, aty ku kamzalinjtë mposhtën Partizanin. Murray regjistroi 17 pikë, 16 kërcime, 3 asistime dhe eficencën 36.