Legjenda e klubit të basketbollit Sigal Prishtina, Edmond Azemi, ka befasuar me një postim në profilin e tij në facebook, duke treguar se si para një kohe e larguan nga klubi.
Ai ka shkruar se me një postim pas mesnate e larguan nga klubi.
Cfarë ka shkruar Azemi?
“Prishtina ime!
Nuk është në personalitetin tim të mos përballem sy më sy, por duke e ditur se gjuha e postimeve njihet mirë tashmë, po e bëj këtë reagim publik, sepse nuk mund të mos reflektoj për Prishtinën time.
Unë, me një postim në Facebook, në orën 23:00 pas mesnate, u largova nga klubi.
Shpreh pakënaqësinë time ne lidhje me vendimet e fundit ne lidhje me: klubin e kryeqytetit, klubin e Prishtinës, klubin e ‘Plisave’, klubin që ka shkruar historinë e basketbollit.
Në këtë klub kam dhënë kontributin tim me zemër për dekada me radhë, në kohë të vështira dhe në kohë të mira.
Isha aty në çdo hap, deri në momentin kur u mor vendimi të më largojnë për mos sukses një “mos sukses i imi” që sot është kthyer në zhgënjim.
Më falni, por kjo është e patolerueshme për qytetin e Prishtinës dhe për ‘Plisat’, të cilët për dekada kanë qenë shtylla morale, emocionale dhe identitare e këtij klubi.
KB Sigal Prishtina nuk është pronë private dhe as mjet për interesa të ngushta personale; është simbol i qytetit dhe i tifozërisë së tij. Favorizimi i individëve apo grupeve të caktuara, duke anashkaluar ‘Plisat’ dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, është gabim strategjik dhe moral.
Pa ‘Plisat’, pa qytetin, ky klub humb shpirtin, historinë dhe forcën që e ka bërë të madh.
Prishtina meriton një udhëheqje që bashkon, respekton dhe përfaqëson qytetin.
Ky vendim nuk reflekton vlerat e klubit dhe as zërin e qytetarëve që e kanë mbajtur këtë fanellë gjallë në kohë të mira e të vështira.
KB Sigal Prishtina është e qytetit.
Është e Plisave.
Dhe kjo nuk duhet harruar kurrë”, ka shkruar Edmond Azemi.