KB Vëllaznimi i Gjakovës shpreh shqetësimin për dhunën që po shfaqet në elitën e basketbollit të Kosovës.
Mbrëmë ndodhi incidenti në ndeshjen mes Vëllaznimit dhe Bashkimit, ku Bledar Gjeqaj, ndihmëstrajner i skuadrës mysafire, u godit me shishe në kokë nga një huligan.
“KB Vëllaznimi shpreh shumë keqardhje dhe dënon ashpër incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes ndaj KB Bashkimit, ku një anëtar i stafit teknik të KB Bashkimit u godit me shishe plastike.
Çdo akt dhune në sport është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet bazë të fair-play-it dhe sigurisë sportive.
KB Vëllaznimi thekson se gjithmonë ka qenë dhe mbetet i përkushtuar për pritje korrekte, të sigurt dhe dinjitoze të ekipeve mysafire, stafit të tyre teknik dhe zyrtarëve të ndeshjes, duke respektuar në mënyrë strikte rregulloret e Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Organizimi i ndeshjes ka qenë plotësisht në përputhje me rregullativën e FBK-së, me prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës dhe stafit të sigurimit, të kërkuar vetë nga KB Vëllaznimi.
Ky fakt dëshmon qartë se organizatori ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtje të sigurt të ndeshjes.
Në këtë kontekst, akuza se incidenti ka ndodhur si pasojë e dështimit të organizatorit nuk qëndron. Duhet theksuar qartë se me lejen e delegatit të ndeshjes dhe në koordinim të drejtpërdrejtë me Policinë e Kosovës, janë lejuar disa persona të ekipit mysafir që të vendosen në një zonë të palestrës ku nuk lejohet prania e shikuesve, e cila sipas rregullave duhet të jetë zonë e kontrolluar dhe e siguruar.
KB Vëllaznimi fton Federatën e Basketbollit të Kosovës që të analizojë me kujdes videoincizimet zyrtare të ndeshjes, për të konstatuar: mënyrën se si ka ardhur deri te grumbullimi i tifozëve prizrenas në një zonë të ndaluar; faktin se këta persona janë lejuar aty pa pëlqimin e KB Vëllaznimit; dhe se ata kanë mbetur tërësisht të pasiguruar dhe pa mbikëqyrje, çka përbën dështim të zinxhirit të vendimmarrjes institucionale dhe jo të organizatorit vendor.
Pikërisht nga ajo zonë e ndaluar ka ardhur edhe mjeti i hedhur në parket, fakt ky që mund të verifikohet qartë nga pamjet filmike. Përgjegjësia për këtë situatë nuk mund dhe nuk duhet t’i atribuohet vetëm KB Vëllaznimit, i cili paraprakisht ka kundërshtuar praninë e tifozëve mysafirë në sallë, në përputhje me vendimet e FBK-së për ndalimin e udhëtimit të tifozërive.
Njëkohësisht, KB Vëllaznimi shpreh shqetësim serioz për aplikimin e standardeve të dyfishta, duke rikujtuar rastin e fundit kur në Prizren, basketbollisti Dardan Berisha u godit me mjet të fortë dhe u gjakos, ndërsa u vendos vetëm zbrazja e një pjese të palestrës. Në Gjakovë, një javë më pas, për një situatë identike apo më të lehtë, u urdhërua zbrazja e tërë sallës, vendim disproporcional dhe i pabarabartë.
Ky trajtim selektiv cenon rëndë parimin e barazisë, sigurinë juridike dhe besimin e klubeve në ndershmërinë e garës, duke krijuar perceptimin e padrejtë se rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë.
KB.Vëllaznimi kërkon nga FBK: trajtim të barabartë të rasteve të ngjashme; analizë objektive të provave filmike; dhe shmangie të deklaratave tendencioze që dëmtojnë padrejtësisht imazhin e klubit tonë.
Ne mbetemi të përkushtuar për sport të pastër, siguri dhe bashkëpunim institucional, por nuk do të pranojmë bartjen e përgjegjësive që nuk na takojnë”, reagon KB Vëllaznimi.