Panathinaikos ka dhuruar një fitore epike në Spanjë, duke mposhtur Valencia Basket me rezultat 107:105 ( (24:23, 25:25, 25:23, 21:24, 12:10) pas vazhdimeve, për të kaluar në epërsi 2:0 në çerekfinalet e EuroLeague në basketboll.
Pas fitores dramatike në ndeshjen e parë (68:67), edhe përballja e dytë ishte një triller i vërtetë.
Që nga fillimi, të dyja skuadrat zhvilluan lojë të barabartë, me epërsi minimale nga njëra anë te tjetra.
Në pjesën e parë, Valencia pati maksimumi +5 pikë, ndërsa Panathinaikos +6, dhe në pushim mysafirët shkuan me avantazh të lehtë 49:48.
Në vazhdim, rëndësia e ndeshjes solli edhe nervozizëm të madh në parket. Valencia krijoi një seri 9:0. Por kjo sikur e zgjoi Panathinaikosin, i cili nga disavantazhi 71:62 realizoi një seri të jashtëzakonshme 18:0 për të kaluar në epërsi 80:71 në minutën e 31-të.
Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan dhe arritën të rikthehen në lojë, duke barazuar rezultatin në 95:95 në fund të kohës së rregullt. Momenti më spektakolar i kësaj pjese erdhi nga shqiptari Cedi Osman, i cili realizoi një treshe për barazim, para se të dy ekipet të dështonin në sulmet e fundit për fitore.
Osman ka luajtur 33 minuta e 39 sekonda, duke shënuar 16 pikë për skuadrën greke.
Në vazhdime u zhvillua një betejë e fortë “pikë për pikë”. Kur mbetën vetëm 5.7 sekonda, rezultati ishte 105:105.
Në aksionin e fundit, topi shkoi te Nigel Hayes-Davis, i cili, edhe pse i rrethuar nga tre kundërshtarë, arriti të shënojë koshin vendimtar.
Hayes-Davis ishte lojtari më i mirë i ndeshjes me 27 pikë, ndërsa Nunn shtoi 19 pikë, Osman 16 dhe T.J. Shorts 10.
Te Valencia, më efikasi ishte Montero me 21 pikë, De Larrea realizoi 18, Badio 15, ndërsa Taylor dhe Keye shtuan nga 12 dhe 11 pikë.
Ndeshja e tretë zhvillohet në Athinë, ku Panathinaikos ka mundësinë të mbyllë serinë dhe të sigurojë një vend në “Final Four”.