Vëmendja e basketbollit evropian zhvendoset në Spanjë

Basketboll

Vëmendja e basketbollit evropian zhvendoset në Spanjë

Më: 13 maj 2026 Në ora: 14:11
Pamje nga ndeshja

Sonte nga ora 21:00, e gjithë vëmendja e basketbollit evropian zhvendoset në Spanjë, aty ku Valencia dhe Panathinaikos do ta zhvillojnë duelin vendimtar që përcakton skuadrën e fundit që siguron kualifikimin në Final Four të EuroLeague.

Pas kualifikimit të Olympiacosit, Fenerbahçes dhe Real Madridit, mbetet vetëm edhe një vend i lirë në mesin e katër skuadrave më të mira të Evropës , dhe beteja për atë biletë pritet të jetë spektakolare. Panathinaikos i drejtuar nga trajneri karizmatik Ergin Ataman udhëton drejt një atmosfere të zjarrtë në Valencia me synimin e vetëm: fitoren.

Megjithatë, misioni duket jashtëzakonisht i vështirë ndaj skuadrës së Pedro Martínez, e cila ka treguar forcë të madhe mentale duke i fituar të dyja ndeshjet si mysafire në këtë seri dramatike.

Presioni është maksimal mbi gjigantin grek, i cili këtë edicion është ndërtuar për ta sulmuar seriozisht titullin evropian. Me yje që kanë përvojë të madhe në skenën më të lartë dhe me Atamanin që njihet si specialist i ndeshjeve të mëdha, Panathinaikos beson se mund ta përballojë “stuhinë” në Spanjë.

Në anën tjetër, Valencia ka befasuar Evropën me karakterin dhe basketbollin agresiv, ndërsa sonte synon ta kompletojë një histori të madhe para tifozëve të vet dhe të rikthehet në elitën absolute të kontinentit.

Një natë, një ndeshje dhe vetëm një biletë për Final Four.

Gjithçka vendoset sonte. Dueli transmetohet direkt nga ora 21:00 në Sport 6.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat