Kapiteni i Kosovës dhe anëtari i Bordit të FBK-së, Dardan Berisha, ka nisur një rrugëtim të ri profesional duke u përzgjedhur si pjesëmarrës në programin "TIME-OUT 4.0".
Ky projekt elitar, i organizuar nga FIBA Europe në partneritet me Universitetin Northumbria në Mbretërinë e Bashkuar, është dizajnuar posaçërisht për sportistët e nivelit të lartë.
Programi synon t'i pajisë basketbollistët me njohuri të thelluara në fushat e menaxhimit, biznesit dhe lidershipit, duke u ofruar atyre mjetet e nevojshme për një tranzicion të suksesshëm drejt karrierës administrative brenda dhe jashtë botës së sportit.
Përfshirja e Berishës në këtë program pason sukseset e figurave të tjera të rëndësishme të Federatës së Basketbollit të Kosovës që kanë diplomuar më parë, si Elvira Dushku, Granit Rugova, Artina Hasani dhe Fisnik Juniku.
Për Dardanin, ky hap përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për të ndërthurur përvojën e tij të madhe në parket me aftësitë e reja drejtuese, duke kontribuar më tej në zhvillimin e institucioneve sportive në vend.