Ekipi i NBA-së Utah Jazz dhe Keyonte George kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit për pesë vite, në vlerë prej 157.5 milionë dollarësh.
Me kontratën e re, mbrojtësi i ri amerikan merr një rol të rëndësishëm në planet afatgjata të klubit.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari i njohur i NBA-së, Shams Charania.
George u përzgjodh në Draftin e NBA-së 2023 si zgjedhja e 16-të, pasi Utah e mori këtë përzgjedhje nga Minnesota Timberwolves në shkëmbimin për Rudy Gobert.
Vetëm tri vite më vonë, 22-vjeçari është shndërruar në një prej basketbollistëve kryesorë të Utah Jazz.
Në sezonin e kaluar, George e përfundoi sezonin me mesatare prej 23.6 pikësh dhe 6.1 asistimesh për ndeshje, duke regjistruar statistikat më të mira të karrierës së tij.
Kontrata e re pesëvjeçare ka një vlerë mesatare prej rreth 31.5 milionë dollarësh në sezon.