LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Bota

LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Nga: Bota sot Më: 13 qershor 2025 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 18:47 më 23.06.2025
Presidenti Donald Trump

Irani sapo goditi objektiva të SHBA në Katar

BBC kupton se ekziston "një kërcënim i besueshëm" për Qendrën e Operacioneve Ajrore të Koalicionit të drejtuar nga SHBA-të në Al-Udeid në Katar.

Vendi ka mbyllur përkohësisht hapësirën e tij ajrore dhe është thënë se baza ajrore është në gjendje gatishmërie të lartë.

Kërcënimi besohet se vjen nga një sulm i mundshëm raketor iranian.

Al-Udeid është një bazë masive jashtë kryeqytetit të Katarit, Doha, dhe është shtëpia e selisë së Centcom-it të SHBA-së për të gjitha operacionet e saj ajrore në Lindjen e Mesme, ku personeli ushtarak britanik shërben gjithashtu me rotacion.

Air France pezullon fluturimet drejt Tel Avivit deri më 14 korrik

Nga: Bota sot

Kompania ajrore kombëtare franceze, Air France, ka pezulluar të gjitha fluturimet e planifikuara drejt Tel Avivit deri më 14 korrik, për shkak të situatës së pasigurt në rajon, mes përshkallëzimit të tensioneve mes Iranit dhe Izraelit, raporton Cnn.

Pas një vlerësimi të gjendjes në terren, kompania njoftoi se ka marrë vendimin për të anuluar të gjitha fluturimet nga Parisi drejt Tel Avivit.

Gjithashtu, janë anuluar edhe disa fluturime drejt destinacioneve të tjera në Lindjen e Mesme, përfshirë Dubain dhe Riadin.

Pasagjerëve të prekur nga anulimet do t’u ofrohet mundësia e shtyrjes së udhëtimit ose rimbursimi i plotë.

Air France deklaroi se vazhdon të ndjekë nga afër zhvillimet gjeopolitike për të garantuar sigurinë maksimale të fluturimeve dhe pasagjerëve të saj.

Shefi i NATO-s: Irani nuk duhet të zhvillojë armë bërthamore

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, po flet përpara samitit të NATO-s.

Duke iu drejtuar situatës në Iran, ai thotë se aleatët e NATO-s kanë rënë dakord prej kohësh që Irani nuk duhet të zhvillojë një armë bërthamore.

"Aleatët i kanë kërkuar vazhdimisht Iranit të përmbushë detyrimet e tij sipas Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT)", thotë ai.

Ushtria izraelite sulmon burgun famëkeq të Iranit, publikohen pamjet

Ushtria izraelite ka sulmuar burgun Evin në kryeqytetin iranian, Teheran, njoftoi zyra e Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, si dhe rrugët hyrëse për në centralin bërthamor Fordo, të cilat u dëmtuan nga ushtria amerikane të dielën në mbrëmje.

Zyra tha se sulmet kishin në shënjestër një burg “për të burgosur politikë dhe kundërshtarë të regjimit”.

Burgu i Evinit ka qenë famëkeq për dekada të tëra dhe njihet si një vend i shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, shkruan skynews.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, autoritetet e burgut në Teheran konfirmuan sulmin ndaj Evinit.

Disa pjesë të ndërtesave dyshohet se u dëmtuan, por situata është nën kontroll.

Agjencia nuk publikoi detaje rreth të vdekurve, të plagosurve apo arratisjes së të burgosurve.

Ndërsa uhtria izraelite raportoi gjithashtu se kishte kryer sulme për të “bllokuar rrugët e hyrjes” në impiantin nëntokësor të pasurimit të uraniumit në Fordo të Iranit, në ditën e 11-të të luftës midis Izraelit dhe Iranit.

IDF thotë se ka shënjestruar rrugët e hyrjes në Fordo

Sapo kemi marrë konfirmim nga ushtria izraelite se ka kryer sulme ajrore në centralin bërthamor të Fordos.

Në një deklaratë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thonë se e kanë bërë këtë "me qëllim që të pengojnë rrugët e hyrjes" në central.

Më parë, zyrtarët lokalë iranianë thanë gjithashtu se Izraeli kishte sulmuar centralin bërthamor të Fordos, sipas raporteve të medias shtetërore.

Shpërthim pranë një termocentrali në Ashdod, Izrael

Siç kemi raportuar, Izraeli dhe Irani kanë vazhduar të sulmojnë njëri-tjetrin.

Në Izrael, raketat iraniane duket se kanë goditur një zonë pranë një termocentrali në qytetin e Ashdodit, duke shkaktuar një shpërthim të madh.

Nuk ka pasur raportime për viktima.

Putin dënon sulmin ndaj Iranit, por nuk ofron mbështetje për aleatin kryesor

Presidenti rus, Vladimir Putin, e dënoi të hënën sulmin ndaj Iranit si “të paarsyeshëm” dhe “të paprovokuar” gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, por nuk shpalli asnjë mbështetje konkrete për aleatin kyç të Moskës në Lindjen e Mesme.

Moska është një aleate e rëndësishme e Iranit, por nuk ka dalë fuqishëm në mbështetje të Teheranit, ndonëse Shtetet e Bashkuara goditën fundjavën që lamë pas objektet bërthamore iraniane.

“Ky agresion i paprovokuar ndaj Iranit është i pajustifikueshëm”, tha Putin në fillim të takimit.

Putin nuk i përmendi drejtpërdrejt sulmet amerikane, duke folur në mënyrë të përgjithshme për “goditje” ndaj Iranit, megjithëse Kremlini kishte deklaruar më herët të hënën se i dënonte dhe i vinte keq për sulmet e SHBA-së.

“Ka një përshkallëzim të ri të tensioneve në rajon, dhe ne sigurisht e dënojmë këtë dhe shprehim keqardhje të thellë në këtë drejtim”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para se Putin të takonte Araghchin në Kremlin.

Putin është përpjekur të paraqitet si ndërmjetës mes Iranit dhe Izraelit – një ide që u hodh poshtë javën e kaluar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Araghchi i tha Putinit se Rusia ka qenë një “partnere dhe bashkudhëtare” e Iranit dhe vlerësoi marrëdhëniet mes Teheranit dhe Moskës si “shumë të ngushta dhe afatgjata”.

“Irani po ushtron të drejtën legjitime për vetëmbrojtje ndaj këtyre agresioneve”, shtoi ai.

Serhiy Danylov, zëvendësdrejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme, tha për projektin e Radios Evropa e Lirë, Current Time, se në Iran po rritet zhgënjimi dhe pakënaqësia ndaj Rusisë – si brenda elitës politike, ashtu edhe në mesin e qytetarëve të zakonshëm.

Sipas tij, Rusia perceptohet si një vend që tregton interesat e Iranit, dhe ky perceptim është i saktë. Rusia shihet si tradhtare – një vend që bëri premtime, por nuk i përmbushi ato.

“Tani, qartazi, iranianët do të kërkojnë, për shembull, municion për sistemin mbrojtës ajror Pantsir-S1, që e përdorin në mënyrë aktive, dhe që është një nga të paktat kapacitete që u kanë mbetur. Do të kërkojnë raketa për mbrojtje ajrore, apo pajisje të përgjithshme për mbrojtje nga ajri – por nuk do të marrin asgjë. Ndoshta ndonjë sasi municioni mund të mbërrijë përmes detit, por në përgjithësi, Rusia nuk mund të bëjë asgjë për Iranin tani. Në fakt, nuk besoj se ka ndonjë dëshirë të bëjë – sepse për Rusinë, marrëdhënia me Donald Trumpin është shumë më e rëndësishme sesa ajo me Iranin”, tha Danylov.

Që prej sulmeve izraelite më 13 qershor, të cilat nxitën një kundërpërgjigje iraniane me raketa dhe dronë, Rusia nuk ka ofruar publikisht ndihmë ushtarake për Teheranin.

Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë minimizuar, gjithashtu, rëndësinë e marrëveshjes së gjerë për partneritet strategjik, të nënshkruar muaj më parë me Iranin, duke theksuar se nuk është një pakt për mbrojtje të ndërsjellë.

“Rusia po bën përpjekje për të ndihmuar popullin iranian”, tha Putin gjatë takimit, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

I pyetur se çfarë mbështetjeje specifike mund të ofronte Rusia, Peskov tha për gazetarët: “Gjithçka varet nga nevojat e Iranit. Ne kemi ofruar shërbimet tona si ndërmjetës”.

Ai shtoi gjithashtu se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe mes Moskës dhe Uashingtonit, duke i quajtur ato “çështje të ndryshme”.

Putin tha javën e kaluar se Irani nuk ka kërkuar ndihmë nga Rusia./REL

Irani e Izraeli shkëmbejnë sulme ajrore, një ditë pasi SHBA goditi objektet bërthamore iraniane

Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme ajrore mëngjesin e së hënës, ndërkohë që Teherani i ka paralajmëruar njëkohësisht Shtetet e Bashkuara se ushtria iraniane i ka tani “duart e lira” për t’i sulmuar objektivat amerikane, një ditë pasi SHBA-ja goditi fuqishëm objektet bërthamore të Teheranit.

Izraeli tha se mbrojtja e tij ajrore është duke punuar për t’i frenuar sulmet, të cilat duket se kishin në shënjestër zonat veriore dhe qendrore të vendit, dhe u kërkoi qytetarëve të shkonin në strehimore.

Irani e përshkroi sulmin si një valë të re të operacionit “Premtimi i Vërtetë 3”, duke thënë se po sulmonte qytetet izraelite Haifa dhe Tel Aviv, sipas televizionit shtetëror iranian.

Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme.

Ndërkohë, në Teheran shpërthime të fuqishme tronditën pjesë të kryeqytetit iranian.

Forca Ajrore Izraelite tha se po godiste shënjestra në Teheran mëngjesin e së hënës, ndërsa dëshmitarët e rastit treguan për shpërthime të fuqishme.

Në një komunikatë, Forca Ajrore Izraelite bëri të ditur se kishte filluar “një seri sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Teheran”. Ajo nuk dha më shumë hollësi dhe përmasat e dëmeve nga sulmet nuk ishin menjëherë të qarta.

Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian raportoi se objekti bërthamor nëntokësor në Fordo, një nga pikat kryesore të sulmeve të fundjavës nga Shtetet e Bashkuara, u godit përsëri. Mediat izraelite, duke cituar burime të paidentifikuara, thanë se sulmet u kryen ndaj rrugëve që çojnë drejt kompleksit, dhe jo drejtpërdrejt mbi vetë objektin.

Shkëmbimi i zjarrit vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara u përfshinë drejtpërdrejt në luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane, gjë që ngjalli frikë për një konflikt më të gjerë rajonal.

Irani theksoi se Shtetet e Bashkuara e kanë kaluar “një vijë shumë të kuqe” me vendimin e rrezikshëm për t’i goditur tri objekte me raketa dhe bomba shkatërruese të destinuara për bunkerë.

Të hënën, gjenerali iranian Abdolrahim Mousavi, shefi i shtabit të përbashkët të forcave të armatosura, paralajmëroi Uashingtonin se sulmet amerikane ua kanë mundësuar forcave iraniane të kenë “duar të lira” për të “vepruar kundër interesave të SHBA-së dhe ushtrisë së saj”.

Mousavi e përshkroi sulmin amerikan si shkelje të sovranitetit të Iranit dhe të barasvlershëm me pushtimin e vendit, raportoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA.

Pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, nga e gjithë bota erdhën thirrje për shtensionim të konfliktit dhe rikthim në diplomaci për të gjetur një zgjidhje.

Të hënën, diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se blloku mbetet “shumë i përqendruar në një zgjidhje diplomatike”.

“Shqetësimet për hakmarrje dhe përshkallëzimin e luftës janë të mëdha”, tha Kaja Kallas në fillim të një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel, ku Irani u bë tema kryesore në rendin e ditës.

“Sidomos mbyllja e ngushticës së Hormuzit nga Irani do të ishte diçka jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e mirë për askënd”, tha Kallas, duke iu referuar një rruge të rëndësishme detare për transportin e naftës.

Pas sulmeve të së dielës, zyrtarët iranianë përsëritën kërcënimet e tyre të kahershme për mundësinë e mbylljes së kësaj rruge kyçe detare.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërriti të hënën në Moskë për takim me presidentin rus, Vladimir Putin, një nga aleatët kyç të Iranit./REL

Shefi i IAEA thotë se priten “dëme shumë të mëdha” në centralin Fordo të Iranit

Bombardimet nga Shtetet e Bashkuara ka gjasa të kenë shkaktuar "dëme shumë të mëdha" në zonat nëntokësore të centralit për pasurimin e uraniumit Fordo në Iran, i cili është i ndërtuar nën tokë brenda një mali, edhe pse ende nuk dihet shkalla e plotë e dëmeve, tha të hënën shefi i vëzhguesit bërthamor të OKB-së, Rafael Grossi.

Shtetet e Bashkuara hodhën të dielën bombat më të mëdha konvencionale nga arsenali i tyre mbi objektet bërthamore iraniane, duke përdorur për herë të parë në luftë bombat që depërtojnë thellë në bunkerë, në përpjekje për t’i shkatërruar centralet për pasurimin e uraniumit, përfshirë edhe atë Fordo.

“Në këtë kohë, askush, përfshirë IAEA-n, nuk është në gjendje t’i ketë vlerësuar plotësisht dëmet nëntokësore në Fordo”, tha Grossi në një deklaratë drejtuar një mbledhjeje emergjente të Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

IAEA-ja nuk ka qenë në gjendje të kryejë inspektime në Iran që nga fillimi i sulmeve ushtarake izraelite mbi objektet bërthamore më 13 qershor.

“Duke pasur parasysh ngarkesën shpërthyese të përdorur dhe ndjeshmërinë e lartë të centrifugave ndaj dridhjeve, pritet që dëmet të jenë shumë të mëdha”, shtoi Grossi.

Përveç shkallës së dëmeve në sallat nëntokësore të pasurimit të Fordos, një nga pikëpyetjet kryesore është gjendja e rezervave të uraniumit të pasuruar, veçanërisht të më shumë se 400 kilogramëve uranium i pasuruar deri në 60 për qind pastërti. Kjo përqindje është një hap larg rreth 90 përqindëshit që shihet si shkalla e nevojshme për të zhvilluar armë bërthamore.

Sipas matjeve të IAEA-s, kjo sasi do të mjaftonte, nëse pasurohet më tej, për të prodhuar nëntë armë bërthamore. Megjithatë, Irani pohon se qëllimet e tij janë paqësore dhe se nuk synon të prodhojë armë atomike.

Irani njoftoi gjithashtu IAEA-n më 13 qershor se do të ndërmerrte “masa të veçanta” për të mbrojtur materialet dhe pajisjet e tij bërthamore që janë nën të ashtuquajturat masa mbikëqyrjeje të IAEA-s, të parashikuara nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, tha Grossi.

“Në përgjigjen time po atë ditë, theksova se çdo transferim i materialit bërthamor nga një objekt i mbikëqyrur në një vend tjetër në Iran duhet të deklarohet te agjencia”, tha Grossi.

Ai shtoi se “çdo masë e veçantë nga Irani për të mbrojtur materialet dhe pajisjet e tij bërthamore ... mund të bëhet në përputhje me detyrimet e tij ndaj masave mbikëqyrëse ... Kjo është e mundur”./REL

Komandanti i lartë iranian paralajmëron SHBA-në: Hakmarrja është e pashmangshme, nuk do të tërhiqemi

Nga: A.M

Komandanti më i lartë i Forcave të Armatosura të Iranit ka lëshuar një paralajmërim të fortë se Shtetet e Bashkuara kanë hapur derën për hakmarrje, duke thënë "ne nuk do të tërhiqemi kurrë", në një deklaratë të raportuar nga media shtetërore, shkruan CNN, transmeton "Bota sot".

Gjeneral Major Abdolrahim Mousavi, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, tha se "Amerika kriminale" kishte "hapur dyert për luftëtarët e Islamit në forcat e armatosura për çdo veprim kundër interesave dhe ushtrisë së saj, dhe ne nuk do të tërhiqemi kurrë në këtë drejtim".

Mousavi tha se SHBA-të kishin "hyrë drejtpërdrejt në luftë duke shkelur sovranitetin e Iranit Islamik dhe duke shkelur tokën e shenjtë të vendit tonë".

Mesazhi i tij është i fundit në një sërë deklaratash të forta nga komandantët më të lartë ushtarakë të hënën. Megjithatë, ende nuk ka pasur një koment që nga sulmi i SHBA-së nga figura më e fuqishme e Iranit, Udhëheqësi Suprem Ajatollah Khamenei.

Një zëdhënës i komandës qendrore të forcave të armatosura, Ibrahim Zolfaqari, paralajmëroi se do të përgjigjej me "operacione të fuqishme dhe të synuara që do të shkaktojnë pasoja të rënda, të paparashikueshme dhe të dhimbshme", në një video të ndarë nga mediat shtetërore.

Zolfaqari i kritikoi sulmet amerikane dhe paralajmëroi për reagimin e mundshëm të Iranit.

"Jo vetëm që (sulmi) ishte i kotë, por ai gjithashtu do të zgjerojë fushën e objektivave legjitime dhe të larmishme për (ushtrinë e Iranit) dhe do të hedhë themelet për zgjerimin e luftës në të gjithë rajonin", tha ai në videon, të ndarë nga agjencitë shtetërore të lajmeve Fars dhe Mehr të hënën.

Pastaj, duke kaluar në anglisht, ai tha: "Kumarxhi Trump, ti mund ta fillosh këtë luftë, por ne do të jemi ata që do ta përfundojmë atë."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat