Shqiptarja, shofere autobusi në Itali

Diaspora

Shqiptarja, shofere autobusi në Itali

Më: 3 janar 2021 Në ora: 13:03
Bukurie Voka

Po të mos ishte e mbuluar me shaminë myslimane, Bukurie Voka, do të ishte një shofere e zakonshme autobusi që çdo ditë i ndesh në linjat publike të transportit të çdo qyteti e komune italiane.

Por ajo shami mbi kokë e veshja tipike e një besimtare myslimane, vazhdon të jetë një “realitet i pazakontë” për mediat italiane e mbi të gjitha në territorin më ekstrem verior të vendit siç është rajoni Alto Adige.

37-vjeçarja, emigrante shqiptare, besimtare myslimane e nënë e një vajze adoleshente, Bukurie Voka, e lindur në Kavajë punon si shoferi autobusi në komunën e Meranos me mbi 41 mijë banorë e ku jeton prej shumë vitesh.

Për mediat italiane Bukuria është simboli i emigrantes që lufton streotipet, por  ndërsa lexon fjalët e saj në intervistën e dhënë për “Corriere Dell’Alto Adige”, kupton se ajo është thjesht një grua e pavarur, një nënë e divorcuar, një femër e lirë, që ka gjetur hapësirën e saj frutdhënëse për një jetë dinjitoze pa korniza.

Bukurie Voda rrëfen se prej 13 vitesh jeton në Itali, fillimisht ka ndaluar në Bolonja e për t’u sistemuar përfundimisht në Merano ku jeton së bashku me vajzën e saj.

Në pyetjet e tij ndoshta gazetari italian priste të shkruante përgjigjen se “Bukuria ëndërronte  të ishte shofere që në rini, mundësi që ia dha vetëm emigracioni në Itali”, por me thjeshtësinë e saj zhveshëse nga çdo paramendim, Bukurie rrëfen se ” ideja lindi nga nevoja, nga halli i orëve të gjata në punë e pamundësisë për t’u kthyer në kohë në shtëpi ku e priste e bija”.

“Shumë herë, rrëfen shoferja shqiptare, kur dilja vonë nga puna në magazinë, humbisja orarin e autobusit e më duhej të qëndroja mbi një orë në mes të të ftohtit e në errësirë derisa të vinte autobusi i radhës.”

Gjesti i një shoferi autobusi që e kishte pritur një natë të vonë ndërsa ajo vraponte të kapte autobusin në ikje, kishte shënuar ndoshta fatin e këtij zanati të ri tek 37 vjeçarja shqiptare. 

“Nuk e harroj, thotë ajo, e të bëhej e nevojshme për dikë u bë një shtysë më shumë në zgjedhjen e saj.

Askush nuk u ndal më parë të shkruujë dy fjalë për Bukurien kur ajo punonte në magazinat e frutave e as nuk do të ndaleshin nëse fytyrën e asaj gruaje që drejton autobusin publik në Merano, nuk do ta hijeshonte shamia myslimane.

Thjeshtësisht e lirë, Bukurie, “zhvesh” nga paragjykimet pyetjet e gazetarit duke thënë se “pavarësisht nga besimi fetar, çdo grua është e lirë të bëjë atë që dëshiron për t’u realizuar si person”.

E si çdo emigrante e mirë, Bukurie nuk harron të falenderojë kompaninë që i dha mundësinë për të punuar e që sipas saj ka sot të punësuar emigrantë nga mbi 20 kombësi të ndryshme.

Historia e Bukurie Vokas më shumë se për Italinë është një rrëfim për Shqipërinë. 

“A ka në Shqipëri gra myslimane të mbuluara që punojnë sot shofere autobusi?” 

 Apo ndoshta siç thotë dhe proverbi “Paese che vai usanze che trovi!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat