Profesionistët shqiptarë të kujdesit shëndetësor në Zvicër do ta ndajnë përvojën e tyre me sistemin shëndetësor të Kosovës. Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Alba Health, shoqatën që bashkon Spitex-et dhe infermierët shqiptarë në Zvicër.
Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, dhe kryetari i Alba Health, Ekrem Hasani, njofton Ministria e Shëndetësisë. Në takim ishin të pranishëm edhe anëtarët e kryesisë së shoqatës, Shqipe Halili, Rexhep Rama, Ali Murtaj dhe Nezir Tishuki.
Sipas Ministrisë, bashkëpunimi parasheh shkëmbim përvojash, organizimin e trajnimeve, edukim të vazhdueshëm profesional dhe realizimin e projekteve të përbashkëta. Qëllimi është që ekspertiza e profesionistëve shëndetësorë shqiptarë në mërgatë të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.
Nga kujdesi në shtëpi te një rrjet profesional
Alba Health bashkon kompanitë shqiptare të Spitex-it në Zvicër, që ofrojnë kujdes shëndetësor dhe social në shtëpi, si dhe infermierë e profesionistë të tjerë të sektorit. Ideja për shoqatën lindi në vitin 2022 në Bernë, ndërsa themelimi i saj zyrtar u bë në Cyrih, në një ceremoni ku mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Ermal Dredha.
Kryetari Ekrem Hasani ka theksuar që në fillim se misioni i shoqatës nuk është t’i largojë profesionistët nga Kosova. Qëllimi, sipas tij, është t’u hapë rrugë integrimit dhe zhvillimit profesional në Zvicër, ndërkohë që përvoja e krijuar atje t’i shërbejë edhe Kosovës.
Pas nënshkrimit, Alba Health falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë, veçanërisht zëvendësministrin Berisha, për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim me profesionistët shqiptarë në Zvicër.
Shoqata ka nisur edhe bashkëpunime të tjera në Kosovë. Së fundmi ka lidhur partneritet me kompleksin e Banjës së Kllokotit, ku anëtarët e saj do të mund t’i referojnë klientët për trajtime rehabilituese me kushte të favorshme.