Arka shëndetësore: kush do të kursejë në 2027 ka kohë vetëm deri të hënën

Zvicër

Arka shëndetësore: kush do të kursejë në 2027 ka kohë vetëm deri të hënën

Nga: Bota sot Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 13:50
Fotoilustrim

Kush dëshiron ta ndërrojë arkën shëndetësore në Zvicër nga 1 janari 2027 ka kohë deri të hënën, më 30 nëntor. Deri në këtë datë, anulimi i sigurimit bazë duhet të ketë arritur te arka aktuale.

Sipas Zyrës Federale të Shëndetësisë Publike (BAG), vlen data kur letra mbërrin te arka, jo data e dërgimit. BAG kishte këshilluar që anulimet të dërgoheshin deri më 15 nëntor. Kush nuk e ka bërë ende, duhet ta dërgojë letrën menjëherë me postë rekomande.

Krahasoni primet
Primet e sigurimit bazë ndryshojnë shumë nga një arkë te tjetra, edhe pse shërbimet janë të njëjta. Kalkulatori i vetëm zyrtar i Konfederatës është priminfo.ch. Arkat për sigurimin bazë janë të detyruara t'ju pranojnë.

Franshiza dhe modeli
Edhe ata që mbeten te e njëjta arkë mund të kursejnë. Kalimi në franshizë më të ulët ose ndryshimi i modelit të sigurimit duhet njoftuar gjithashtu deri më 30 nëntor. Për franshizë më të lartë, afati është 31 dhjetori.

Kujdes me borxhet
Arka nuk mund të ndërrohet nëse keni prima apo fatura të papaguara për të cilat keni marrë vërejtje deri më 30 nëntor. Këto duhet të paguhen deri në fund të vitit. I njëjti rregull vlen edhe për fëmijët.

Sigurimi shtesë është tjetër gjë
Për sigurimet shtesë vlejnë afate të tjera, zakonisht tre muaj para fundit të vitit, sipas kushteve të kontratës. Ekspertët këshillojnë që sigurimi shtesë të mos anulohet para se arka e re të ketë konfirmuar me shkrim pranimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat