Para festave në Kosovë: transporti 21,5 për qind më i shtrenjtë se para një viti

Diaspora

Para festave në Kosovë: transporti 21,5 për qind më i shtrenjtë se para një viti

Nga: Bota sot Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 14:04
Fotoilustrim

Mërgimtarët që po planifikojnë të kalojnë festat e fundvitit në Kosovë do të gjejnë çmime dukshëm më të larta se një vit më parë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të raportuara nga ATSH, inflacioni vjetor në tetor 2026 arriti në 7,1 për qind, pas 7,8 për qind në shtator.

Rritjen më të madhe vjetore e ka shënuar transporti, me 21,5 për qind. Pas tij vijojnë strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse, me 9,7 për qind.

Pijet alkoolike dhe duhani janë shtrenjtuar 5 për qind, restorantet dhe akomodimi 4,5 për qind, kujdesi personal 3,7 për qind, ndërsa shëndetësia dhe mobiljet 2,9 për qind. Veshjet dhe këpucët janë rritur 2,3 për qind. Ulje vjetore, prej 0,3 për qind, kanë shënuar vetëm shërbimet arsimore.

Tetori pa ndryshim të përgjithshëm
Krahasuar me shtatorin, niveli i përgjithshëm i çmimeve në tetor mbeti i pandryshuar. Brenda muajit, strehimi dhe energjia u shtrenjtuan 1,7 për qind dhe ushqimet 1,1 për qind, ndërsa transporti u lirua 2,2 për qind dhe rekreacioni 1,4 për qind. ASK-ja ka bërë të ditur se të dhënat e tetorit janë llogaritur me klasifikimin e ri, me vitin 2025 si bazë.

Diaspora mbetet shtylla
Ndërkohë, mërgimtarët vazhdojnë të dërgojnë gjithnjë e më shumë para. Sipas të dhënave paraprake të Bankës Qendrore të Kosovës, në janar–gusht 2026 remitancat arritën në 984,1 milionë euro, rreth 6,7 për qind më shumë se një vit më parë. Gjermania dhe Zvicra mbeten burimet kryesore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat