Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komunën e Villeneuve në Zvicër, ku është pritur nga nënkryetari i kësaj komune, Arbër Jagoda.
Në këtë takim, Elezaj ishte i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Enver Berisha, dhe drejtori i Financave, Faruk Smajli. Në pritje morën pjesë edhe Cristiano Chiappa, kryetar i Komisionit të Financave, si dhe Isuf Jagoda, përfaqësues për integrimet me Ballkanin.
Përmes një postimi në Facebook, Elezaj ka falënderuar nënkryetarin Arbër Jagoda, me prejardhje nga Poterçi i Klinës, për ftesën dhe mikpritjen.
Ai ka vlerësuar sukseset e bashkatdhetarëve në vendet evropiane, duke i cilësuar ata si ambasadorë të Kosovës.
Gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave, shkëmbimin e përvojave në qeverisjen lokale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme.
Elezaj ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe ruajtjes së lidhjeve me bashkatdhetarët, duke i cilësuar ato si ura të rëndësishme për zhvillim dhe përfaqësim të vlerave të Kosovës në Evropë.