Dashuria për Kosovën në Venezia në ditën e Shën Valentinit

Diaspora

Dashuria për Kosovën në Venezia në ditën e Shën Valentinit

Nga: Gëzim Muçolli Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 23:20
Gëzim Muçolli

Kalendari i këtij viti i nisur me 1 janar me urimet më të mira  drejt normalitetit përditë tregon mbrapshtinë e kohës. Kaloi edhe gjysma e muajit të dytë e po përballemi me efektet e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, e historisë i ngelet ti shënojë ditët dhe ciklin e ngjarjeve që mbushin kronikat e përditshme.

Është koha e ditëve më të ftohta të dimrit e në Venezia, Karnevalit të sivjetëm nuk iu pa as fillimi as fundi (pas dy ditësh)! Viteve të tjera e diela e fundit shënonte kulmin e festës kurse sa herë e diela e fundit ishte binjake  me festën e të dashuruarve qyteti i amshueshëm i dashurisë nuk kishte vend për vizitorët e shumtë nga e gjithë bota.

Kurse në Republikën e Kosovës , sot ishte festa e demokracisë e shprehur me pjesëmarrje në votim për të zgjedhur Parlamentin e ri të Republikës. Çdo herë zgjedhjet në Kosovë janë konsideruar moment i volitshëm i platformave dhe ekuilibrave të politikës dhe interesit, kurse sivjet konsiderohen më shumë si shpërthim paqësor i vullnetit dhe rezistencës civile ndaj asaj që sot mund të quhet prapangecje historike e shoqërore.

Secila votë ka rëndësinë e vet por vota e mërgatës sivjet ishte ajo më e vlerësuara. më e kritikuara, më e dashura dhe më e hidhura. E çliruar nga militantizmi partiak lokal dhe e fisnikëruar nga dëshira më e mirë e çdo mërgimtari që ta sheh vendlindjen e vet më mirë se gjithë botën, është votë e pakorruptuar nga premtimet elektorale dhe pazaret e politikave të marrëveshtjeve të mesnatës.

Ishin krenarë të gjithë ata mërgimtarë kosovarë që iu dha rasti të votojnë nëpërmjet postës e poashtu ishin tmerrësisht të zemëruar dhe të dëshpëruar ata që iu mohua e drejta e votimit.

Sot ishte ditë e shënuar në jetën time. Ishte ditë që më solli ndërmend kujtime të një kohe jo shumë të largët, megjithëse kanë kaluar shumë vite. Pikërisht në ditën e sotit, me 14 shkurt 1999, pas shumë orë udhëtimi me autobus pasi kisha kaluar qytetin e Parisit, ndodhesha në qendër të qytetit Rambuje, në sheshin e pazarit para Kështjellës së famshme ku po dikutohej e ardhmja e Kosovës. Isha njëri nga ata që e mbushën çdo shesh e rrugë të këtij qyteti duke ia bërë me dije jo vetëm zotërinjve të Francës dhe Europës por edhe gjithë botës se ishim gati edhe për tu rreshtuar në luftë për lirinë e pakusht të Kosovës.

Ishte hera e parë që po shkoja pa gruan time Valdeten në një manifestim kushtuar Kosovës sepse e kishte të pamundur për shkak  se ishim në pritje të fëmiut tonë të parë. Rrugën për në Rambuje e kisha marrë me vetëbesim edhe pse më kishin skaduar edhe pasaporti  edhe letërnjohtimi i lëshuar në Prishtinë, e poashtu më kishte skaduar edhe letërnjohtimi italian e dhe Lejeqëndrimi në shtetin e Italisë i cili nuk mund të vazhdohej legalisht pa pasur pasaport me afat të vlefshmërisë. Besoja se nuk kishte fuqi të më ndalte të shkoja në Francë e ti përgjigjesha thirrjes për të qenë te vendi ku do ti tregonim botës gatishmërinë tonë.

Pas luftës në çdo rast kur janë organizuar zgjedhjet parlamentare apo administrative në Kosovë unë me Valdeten kemi aplikuar dhe votuar duke kryer obligimin kushtetues me pjesëmarrjen tonë në zhvillimet demokratike.

Image

Edhe sivjet iu përgjigjëm afateve të shpalluara nga KQZ (Komisioni Qendror Zgjedhor) i Kosovës. I dërguam kërkesat tona duke dërguar aplikacionin unë , Valdetja dhe djali i madh Albani 21 vjeçar i cili ishte i lumtur që do të votonte. Pritëm me ditë thirrjen telefonike që duhej të vinte nga punonjësit e KQZ-së por kot. Heshtja e thirrjeve ishte  heshtja e turpshme e një institucioni me njerëz që paguhen nga buxheti i tatimpaguesve për të qenë në shërbim të vendit.

Nuk ishim të vetmit po ishin 28.068 mërgimtarë që nuk iu doli emri në Listën e votueve jashtë vendit. Kryetarja e KQZ-së zonja Valdete Daka tha para gazetarëve  se ata që iu kishte dalur emri në Listë  kishin aplikuar suksesshëm.

E ne të tjerët si paskemi qenë pra , aplikues të pasusksesshëm ?! Apo rrena i ka këmbët e shkurtëra !

Nuk ishte kurrfarë arsyetimi logjik ai i një suksesi në aplikim apo jo, por tentim për të fshehur shkaqet e mossuksesit të punës së paorganizuar mirë duke na lënë jashtë mundësisë për zgjedhje nëpërmjet postës.

Zgjedhjet u mbajtën sot me pjesëmarrje të lartë të votuesve në qytetet e fshatrat e Republikës së Kosovës. U thye miti tradicional i përqindjeve që diheshin qysh para votimeve e edhe exit-pollet e porositura dëshmuan se kur del dhe voton populli e jo vetëm militantët e organizuar të partive , rezultati mund të del plebishitar. Doli se mungesa e mundësisë për të votuar e mijëra të mërguarve u bë nxitje për shkuarje në Kosovë për të votuar direkt atje.

Image

Fitorja iu takon më të mirëve por efektet e zgjedhjeve të ditës së Shën Valentinit do të shihen me reaksion zingjiror të kërkimit të përgjegjësisë për dështime elektorale edhe brenda partive që kanë sunduar qe dy dekada e poashtu edhe te KQZ-ja e zonjës Valdete Daka e cila kështu nuk mund të ketë legjitimitet për të organizuar më zgjedhje në Kosovë.

Pra duke dashur të kujtojmë ditët e shënuara të historisë shqiptare nga Franca deri në kosovë, në festën e Shën Valentinit shkuam në Venezia për të dëshmuar  sot se mund të votohet edhe kështu atdhedashuria për Kosovën Republikë.

Nga  mërgata i përshëndesim të gjithë votuesit e Republikës dhe i urojmë suksese pune Parlamentit që do të del nga votimet e ditës së 14 shkurtit 2021.

Deputetëve të zgjedhur iu urojmë me dashuri, në ditën e Shën Valentinit  të jeni gjithmonë të dashuruar, të punoni e ti kryeni detyrat që i keni marrë vet e kurrë mos t’ju urrenë më  populli i Kosovës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat