Durimit të mërgimtarëve po i vije fundi!

Diaspora

Durimit të mërgimtarëve po i vije fundi!

Nga: Florim Zeqa Më: 2 maj 2021 Në ora: 07:52
Florim Zeqa

Pas letres së hapur drejtuar ministres Gërvalla, nuk e kisha ndër mend të merrem tutje me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe as me zyrtarët e përfaqësive tona diplomatike, por janë reagimet e shumta të mërgimtarëve që më detyrojnë t'i kthehem edhe një herë temës së shërbimeve konsullore.

Kostoja e dëshprimit më e lartë sesa ajo e dëmtimit

Perveq aspektit diplomatik që ka ambasada (konsullata), roli parësor i saj duhet të jetë shërbimi për bashkatdhetarët, me paisjen e dokumenteve të nevojshme të shtetit të Kosoves duke filluar nga çertifikatat e lindjes, pasaportave dhe dokumenteve tjera të nevojshme për udhëtimin e fëmijëve të posalindur në drejtim të shtetit të Kosovës.

Nga momenti i publikimit në media të letres së hapur drejtuar Ministres së Punëve të Jashtme, zonjes Donika Gërvalla, nga bashkatdhetarët në Itali kam marrë me qindra mesazhe dhe thirrje telefonike me përmbajtje falenderimi dhe mbështetje për ngritjen e problemeve të tyre në shkrim, por edhe me përmbajtje zhgënjimi dhe hidhërimi për keqtrajtimin që po bëhet në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në shtetet e rajonit, në veçanti në Itali (Milano) dhe Slloveni (Lubjanë).

Siq e kam cekur në letren e hapur të datës 28 Prill 2021, shqiptarët e Kosovës që jetojnë e veprojnë përkohësisht në pjesën veriore të Italisë, për shkak të shtrirjes gjeografike të shtetit ku jetojnë, me qëllim të shkurtimit të distancës dhe përgjysmimit të kostos financiare, ia mësyjnë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lubjanë (Republika e Sllovenisë) për rregullimin apo nxjerrjen e ndonjë fletudhëtimi për fëmijët e posalindur në Itali.

Përderisa në konsullatën e përbashkët Shqipëri-Kosovë apo "kalin e dy shtëpive" në Milano, të cilët as në telefon nuk iu përgjigjen bashkatdhetarëve tonë, shkuarja atje pa termin, përveq humbje të kohës dhe kosto financiare nuk ju sjellë gjë tjetër të mirë!

Kësisoji, shtetasit kosovar që jetojnë në pjesën veriore të Italisë, për zgjidhjen e problemeve që po ua shkakton shteti italian me të ashtuquajturat "fletudhëtime" (lascia passare) për fëmiljet e posalindur me rastin e shkuarjes në vendlindje të familjeve kosovare, të vetmin shpëtim po e kërkojnë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Lubjanë.

Por jo të gjithë e kanë privilegjin e nxjerrjes së fletudhëtimit në të njëjtën ditë që shkojnë në Lubjanë! 

Pritja e ftohtë dhe barrierat burokratike nga zyrtarët shtetërorë, përveq thyerjeve të mëdha shpirtërore, bashkatdhetarëve po u shkaktojnë edhe kosto të lartë finaciare. Një ditë e shkuar huq në Lubjanë, një familje kosovare i kushton hiq më pak 500 euro!

Thyerja shpirtërore e çlirimtarit

Rasti më i fresktët i keqtrajtimit dhe thyerjeve shpirtërore të familjeve kosovare në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Lubjanë ka ndodhur vetëm dy ditë pas letrës së hapur që iu dërgova zonjes ministre Gërvalla.

Janë të paktën dy familje nga qyteti i Trevisos (Itali) që udhëtuan kot për në Lubjanë. Shkuan me shpresa të mëdha, por u kthyen të zhgënjyer nga pritja që hasën në shtëpinë e shtetit të tyre!

Rrëfimi i njërit prej kryefamiljarëve ishte shokues; "U nisa nga Treviso në ora 5 të mëngjesit të datës 30 Prill 2021 me shpresë se do të kryej punë. Në Ambsadë hyra në ora 9 e 30 minuta, ma caktuan terminin për në ora 11 e 30', kur më erdhi koha e terminit, më thanë "ka rënë sistemi", ejani në ora 13 e 30'. 

Në atë moment, zyrtarës së ambasades i thashë, të paktën kontrollomi dokumentet a i kam në rregull!? 

Zyrtarja i përgjigjet, të gjitha i paske në rregull, përveq autorizimit të bashkëshortes! 

Po çfarë i mungon!?

Ky dokument duhet të jetë në gjuhën shqipe, italiane dhe sllovene!

Ju lutem shikoje autorizimin në gjuhën shqipte, shiko çertifikatën e lindjes në gjuhën italiane dhe gjuhën shqipe, shikoje lejen e qëndrimit të bashkëshortes  ku ndodhet vajza me foto në të.

Zyrtarja ia kthen, nuk janë të mjaftueshme, shko e përktheje autorizimin në gjuhën sllovene dhe sjelle këtu. 

Ashtu edhe veprova, shkova në komune në Lubjanë, e përktheva dokumentin, edhe pse e pagova 30 euro, mu duk asgjë, pasi mendoja se po kryej punë në Ambasadë. 

Me t'u kthyer në Ambasadë rreth orës 14 e 30', zyrtarja ia kthenë, na vie keq, por sistemi ende nuk po punon, ju lutemi pritni deri në ora 16 e 30'. Kurse pas kësaj ore, e qetë dhe me gjakftohësi i thotë, ejani javën tjetër!

Kryefamiljari ia kthen, a më garanton se pas tre ditësh do të punon sistemi!?

Zyrtarja i përgjigjet me një rrudhje krahësh!

Kryefamiljarit nuk i mbeti tjetër, veqse të largohet i qetë edhe përkundër revoltës së brendshme shpirtërore!

Ky ishte rrëfimi i luftëtarit të lirisë, i ish pjestarit të UÇK-së dhe TMK-së, të cilin shkaqet e vështira socio-ekonomike në shtetin për të cilin luftoi dhe punoi e detyruan të emigroj në Itali, identitetin e të cilit nuk po e bëjë publik në shkrimin e sotëm.

Kjo sjellje paradoksale e stafit diplomatik, përveq thyerjes shpirtërore dhe kostos së lartë materiale të mërgimtarit në fjalë, i rrezikon atij edhe djegien e biletave të aeroplanit të rezervuara për datën e caktuar!

Për më tepër se kaq, ushtarit të lirisë i dhemb shpirti për Nënën e sëmurë 76 vjeçare që me padurim e pret ta shohë mbesen e saj, e cila e pyet çdo ditë djalin e vet, kur po ma bjen ta shohë embelsirën time!

Vallë ky na qenka "shpërblimi" i shtetit për çlirimtarin, apo krenari e kthyer në mallkim!

Zgjidhja me kohë e problemeve e parandalon revoltën e mërgimtarëve

Vërtetë nuk e kam as idenë më të vogë, se me çfarë gjakëftohësie zyrtarët e shtetit tonë i kthejnë mbrapa pa u kryer punë bashkatdhetarëve të vet për një dokument kaq të thjeshtë, të cilin shteti i Serbisë ua lëshon për 5 minuta në pikat kufitare pa asnjë procedurë burokratike.

Mosndjesia dhe mosrespekti i stafit diplomatik ndaj mërgimtarëve dhe keqtrajtimi që ju bëhet atyre nuk guxon të kalojë pa u ndëshkuar nga qeveria, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme.

Fletudhëtimi nuk është pasaportë, por thjesht një dokument që e dëshmon identitetin e fëmijës për lejekalim të kufirit e asgjë më shumë dhe as më pak.

Një dokument i tillë nuk ka nevojë të hyjë fare në sistemin kompjuterik, por vetëm të shkruhen thjeshtë dhe qartë mbi një letër të bardhë të dhënat e fëmijës së posalindur, data e lëshimit dhe skadimit të dokumentit, e legjitimuar me vulë të ambasadës (konsullatës) dhe të nëshkruar nga ambasadori (konsulli) në detyrë.

Zonja ministre Donika Gërvalla, zotri kryeministër Albin Kurti dhe zonja presidente Vjosa Osmani, edhe pse këto janë probleme të trashëguara nga qeveritë paraprake, dikush duhet të jepë përgjegjësi për komplikimet e panevojshme dhe procedurat burokratike që po iu shkaktohen bashkatdhetarëve në vijimësi në ambasadat dhe konsullatat tona!

Ju lutem mos i trajtoni mërgimtarët vetëm si numra për vota, por merrni me urgjencë në konsideratë shqetësimet dhe brengat e tyre, të ngritura në këtë shkrim dhe shkrimin paraprak të datës 28 Prill 2021 (https://www.botasot.info/opinione/1570899/).

Marrja e votës nën premtim, borxh ndaj mërgimtarëve

I ftojë qeveritarët e rinjë në Prishtinë e në veqanti Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, këto janë problemet me të cilat duhet të mirren e jo t'i lënë në harresë problemet e mërgimtarëve, të cilët kanë berë e kanë dhenë shumë për lirinë e Kosovës.

Marrja e votës nën premtimin për ndryshim ju obligon që pa humbur kohë dhe sa më parë t'i merrni në konsideratë problemet e ngritura të mërgimtarëve, për arsye se durimit të mërgimtarëve po i vie fundi. 

Mërgimtarët sikurse çlirimtarët e vërtetë nuk kërkojnë privilegje, por realizim të drejtash elementare dhe trajtim dinjitoz nga shteti i tyre. Nëse nuk ndërmerrni shpejtë hapat e duhur për zgjidhjen e problemeve të mërgimtarëve, do të përballeni me revoltën e tyre.

Çdo premtim është obligim, çdo vonesë në mospërmbushjen e premtimeve të dhëna do t'iu kthehet në ndëshkim për mashtrim!

Le të shërbej ky shkrim si një thirrje per institucionet e shtetit: presidenten, kryeministrin, ministren Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që për një moment ta lënë komoditetin e të mirren me problemet e bashkatdhetarëve të vet, t’i thërrasin arsyes së shëndoshë dhe ndërgjegjes kombëtare, ngase edhe Diaspora është Kosovë, madje është arteria më rëndësishme e trungut tonë kombëtar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat