Ambasada e Kosovës në Itali solidarizohet me Ukrainën përmes koncertit

Diaspora

Ambasada e Kosovës në Itali solidarizohet me Ukrainën përmes koncertit

Më: 16 mars 2022 Në ora: 22:52
Mbrëmë, në kryeqytetin e Italisë, Ambasada e Republikës së Kosovës përcolli një mesazh shumë domethënës për paqe

Ambasada e Kosovës në Itali, gjatë natës së mbrëmshme, organizoi koncertin për paqe me sopranon Marigona Qerkezi, në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas.

Në fjalën e saj, ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasimi, theksoi se data e 17 shkurtit për kosovarët nuk përkon vetëm me lindjen e republikës, por është edhe një moment reflektimi për të nderuar vullnetin dhe vendosmërinë e një rrugëtimi të gjatë pas dekadash rezistence.

Tutje, ajo përkujtoi që në fund të viteve ’90, Kosova pati fatin të dëshmonte solidaritetin ndërkombëtar, angazhimin dhe përkushtimin e aleatëve si Italia.

“Për këto arsye, shtoi ambasadorja, sot, më shumë se kurrë, jemi shumë pranë popullit ukrainas, ndaj të cilit shprehim solidaritetin tonë të plotë, human dhe institucional, duke uruar paqen për Ukrainën edhe përmes këtij gjesti modest të këtij koncerti”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Itali.

Më tej, ambasadorja Haxhitasimi shtjelloi edhe marrëdhëniet diplomatike 14-vjeçare mes Kosovës e Italisë, duke pasqyruar gamën e gjerë të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Mbrëmë, në kryeqytetin e Italisë, Ambasada e Republikës së Kosovës përcolli një mesazh shumë domethënës për paqe, duke kombinuar më së miri zërin e bukur dhe të fuqishëm të sopranos tonë të mrekullueshme Marigona Qerkezi dhe notave muzikore të pianistit Gabriele Rubeo, ku u interpretuan me shumë ndjenjë dhe emocion edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë”.

Në këtë koncert, të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve italiane, deputetë, ambasadorë, diplomatë, miq të Kosovës, studentë, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Itali dhe atyre arbëresh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat