Arti i dy botëve, mes mërgimit dhe kujtesës

Diaspora

Arti i dy botëve, mes mërgimit dhe kujtesës

Nga: Ramiz Selimi Më: 9 qershor 2025 Në ora: 23:24
Haxhi Fejzullahu

Në qytezën piktoreske të Voitsbergut, në zemër të Steiermarkut austriak, jeton një piktor që i përket dy botëve, dy kulturave dhe një trashëgimie të thellë shpirtërore. Fjala është për Haxhi Fejzullahun, i cili jeton në Austri që nga viti 1991, atëherë kur si shumë të rinj u detyrua të largohej nga vendlindja për shkak represionit serb. Sot Haxhiu është njëri nga zërat më të veçantë të artit pamor në mërgatën shqiptare dhe një shembull frymëzues i rezistencës kulturore përmes penelit.

Kur Haxhiu mbërriti në Austri, nuk mbante vetëm valixhen me pak rroba, por edhe një shpirt të trazuar artisti dhe një pasion të heshtur që përkulte kohën e tij të lirë në pikturë. Si shumë të tjerë, vitet e para të jetës së tij në mërgim kaluan duke punuar punë të ndryshme, larg asaj që i diktonin ndjenjat dhe shpirti krijues. Por arti nuk u zhduk, ai ziente në heshtje dhe ishte gati të shpërthente çdo moment.

Sot, pas më shumë se tri dekadash në Austri, arti i Haxhi Fejzullahut përfaqëson një bashkëjetesë të rrallë mes dy botëve, atdheut që e rriti dhe vendit që i hapi dyert për ta strehuar. Kjo ndarje e brendshme, por edhe ky bashkim i thellë emocional mes dy kulturave, është boshti që i mban gjallë pikturat e tij.

Jeta mes dy kulturave

Veprat e Haxhiut flasin me zë të qartë, janë rrëfime për dhimbjen dhe krenarinë shqiptare, për sakrificën e mërgatës, për plagët e luftës dhe për bukurinë e maleve që lanë pas. Por njëkohësisht, ai e paraqet me dashuri të sinqertë natyrën e rajonit të Voitsbergut, jetën austriake, respektin për mikpritjen dhe rendin që gjeti këtu.

Arti i tij nuk është thjeshtë një dialog artistik, por një bashkëjetesë shpirtërore që i buron nga përvoja personale. Haxhiu nuk e sheh veten si të ndarë, por si pjesë e dy realiteteve që bashkë-formojnë identitetin e tij. Kjo përthyerje e dyfishtë reflektohet fuqishëm në peizazhet që pikturon, nga malet e Kosovës deri tek fushat dhe pyjet e Steiermarkut

Një temë e përsëritur në veprat e tij është identiteti i refugjatit, jeta mes dy realiteteve dhe përpjekja për të ruajtur rrënjët pa humbur degët. Ky dualitet i pasqyruar në art është bërë shenjë dalluese e Haxhiut.

Teknika e tij e veçantë, mes natyrës dhe shpirtit

Haxhiu përdor një spektër teknikash, nga pikturat që i realizon me thëngjill, tek akuarelet e lehta dhe deri tek ato me akril ekspresiv. Por, ajo që e bën veprën e tij unike është përdorimi i teknikës së "ngjyrave bio", një qasje krejt personale dhe ekologjike. Ai krijon pigmentet nga rrëshirë bredhi dhe nga dheu që e merr në rajonin e Voitsbergut për të krijuar një strukturë dhe paletë ngjyrash që flet për ndjeshmërinë e tij ndaj mjedisit dhe përkushtimin ndaj natyrës si pjesë e qenies njerëzore.

Këto ngjyra i përdor për të krijuar portrete dhe peizazhe të mbushura përplot emocione që duken si kujtime të skalitura në kohë. Pastaj peizazhet shpeshherë përshkruajnë me mall vendlindjen, si dhe motive që ngrenë pyetje për fatin e refugjatëve dhe rrënjët e tyre që zbuten në dhe të huaj.

Asimilimi, mërgata dhe kujtesa kolektive

Përtej bukurisë estetike, vepra e Haxhi Fejzullahut është edhe një formë aktivizmi. Ai nuk është thjesht piktor, por është zë. Një zë që kujton terrorin serb ndaj shqiptarëve, që flet për përpjekjet e diasporës për të ruajtur gjuhën dhe identitetin, dhe që me penel e zemër tregon se arti mund të jetë urë, mburojë dhe shpëtim.

Një pjesë e rëndësishme e pikturave të Haxhiut merren me temën e asimilimit dhe identitetit në mërgatë. Ai e përshkruan shpesh ndjenjën e të qenit “në mes”, as këtu, as atje, një gjendje që shumë shqiptarë të diasporës e ndiejnë, por rrallë e artikulojnë me kaq shumë ndjeshmëri.

Pikturat e tij janë edhe dëshmi, një lloj arkive që ruan sakrificën e mërgatës shqiptare, dhimbjen e atdheut të braktisur dhe përpjekjen për t’u ndjerë si në shtëpi në vend të huaj.

Haxhi Fejzullahu nuk është vetëm një artist i nderuar nga komuniteti shqiptarë dhe ai austriak, por ai është dëshmi e gjallë se arti nuk njeh kufij, nuk trembet nga mërgimi dhe nuk hesht para dhimbjes. Ai vazhdon të vizatojë me thëngjillin e kujtesës dhe ngjyrat bio të jetës, duke na kujtuar se rrënjët shpirtërore nuk thahen kurrë, vetëm gdhenden ndryshe, në telajon e përjetësisë.

Ekspozitat e tij janë një përjetim emocional dhe një ftesë për reflektim, për rolin e artit si kujtesë dhe për artistin si mbartës i së vërtetës.

Image
Haxhi Fejzullahu
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat