Bashkëvendas e bashkatdhetarë të nderuar!
Jemi mbledhur sot këtu në Detroit për t’i dhënë nderimet e rastit Nikollë Perkajt, luftëtarit të lirisë, trimit të trimave, i cili në vitin 1998 e la këtë qytet dhe u nis vullnetarisht nga Amerika e largët për të çliruar nga okupacioni serb atdheun e tij të dashur, Kosovën heroike.
Merrni me mend sa trim ishte ky burrë i Kosovës dhe Malësisë që, edhe pse ishte prind i 9 fëmijëve, shumica të moshës së re, u tha lamtumirë se jam duke shkuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës. Ishte ky një vendim i dhimbshëm e heroik, për të cilin ishin krenarë të gjithë.
Respekti dhe dashuria për këtë luftëtar lirie u rrit dita-ditës aq më shumë kur flitet për sakrificën e tij tejet të madhe. Sakrifica të tilla nuk janë të shumta në histori, qofshin ato kombëtare ose ndërkombëtare.
Kështu kishte vepruar heroi i përmendur i Shqipërisë, Mujo Ulqinaku, gjatë pushtimit fashist.
Edhe ai kishte lënë 5 fëmijë për të luftuar kundër pushtimit të atdheut. Për sakrificën dhe qëndresën e tij heroike, shkrimtari ynë i madh Arshi Pipa i kishte kushtuar një poemë të mrekullueshme. Një poemë të tillë e meriton edhe trimi ynë i përmendur, Nikollë Marash Perkaj, i lindur në Gjakovë të Kosovës. Të parët e tij, do të thoshim gjyshi i tij, Ul Martini, ishin larguar nga Luhari një shekull më parë.
Ishte larguar nga vendlindja, ashtu siç ishte larguar edhe Jakup Ferri 150 vjet para tij. Luhari nëpër shekuj ka dhënë trima atdhetarë të dalluar, ashtu siç ka dhënë edhe dijetarë e historianë të shquar, siç ishte Millan Perkaj dhe shumë të tjerë, por në këto orë përkujtimore nuk dua t’jua marr kohën me këto histori.
Ul Martini, si shumë malësorë të tjerë, ishte vendosur në Rrafshin e Dukagjinit, ku e kaloi tërë jetën deri në vdekje.
Kjo familje fisnike punoi e jetoi me nder e respekt në qytetin e Gjakovës, duke punuar shumë herë punë të vështira, siç ishin ato kohë. Ul Martini dhe pasardhësit e tij nderuan rrethin ku jetuan. U përshtatën aq mirë në Kosovë, sikur të kishin qenë në Luharin e tyre të dashur, të cilin nuk e harruan kurrë. Herë pas here, ata vinin në Malësi për t’u çmallur me të afërmit e tyre.
Vëllezër e motra, familja dhe farefisi i tij, shumë i dëshpëruar, po i qesin hartrin prindit dhe burrit të njohur, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike. Familjarët dhe rrjetet sociale tregojnë se Nikollë Perkaj u përcoll me nderime të mëdha në qytetin e tij. U përcoll me nderime e fjalime. Garda ushtarake e Kosovës ishte e pranishme dhe bëri të gjitha ceremonitë e rastit, bile ata e futën kufomën e tij në kishë për ceremoninë fetare të rastit. Po atë ditë, Komuna e Gjakovës i kushtoi një orë përkujtimore.
Dhe në përfundim, ju falënderoj për vëmendje dhe lusim Zotin që radhën tjetër të takohemi për dasma e gëzime në këtë shtëpi