Më 28 Shtator 2025, qyteti i Grazit u bë për një ditë kryeqyteti i shqiptarëve në mërgatë. Shoqata “Atdheu”, në bashkëpunim me bashkatdhetarët, organizoi për herë të pestë Ditën Kulturore Shqiptare, një ngjarje madhështore që mbushi rrugët dhe sheshet e qytetit me ngjyrat kuq e zi.
Festa nisi në parkun e qytetit me valle tradicionale shqiptare dhe vazhdoi me marshimin drejt sheshit kryesor, ku atmosfera u bë një det krenarie kombëtare. Për herë të parë, policia e Grazit ndërpreu qarkullimin për t’i lënë vend festës shqiptare.
Në këtë ditë u shquan kontributet e Ansamblit AKV “Anamorava” nga Vitia, Shoqatës së Gruas “Kuq e Zi” nga Villachu, si dhe të gjitha shoqatave shqiptare nga Steiermark dhe Kärnten. Një falënderim i posaçëm shkon për Ambasadën e Republikës së Kosovës, që mbështeti organizimin.
Kryetari i Shoqatës “Atdheu”, z. Bashkim Shala, theksoi se kjo ngjarje është dëshmi e bashkimit dhe krenarisë shqiptare në mërgatë. Ai rikujtoi gjithashtu kontributin e tij që nga viti 1990 në Graz e në gjithë Austrinë, në fushën kulturore dhe sportive, duke falënderuar për bashkëpunimin e gjatë z. Naim Sadikun dhe z. Vehbi Halitin.
Në këtë festë, artisti i njohur Haxhi Fejzullahu surprizoi publikun me punimet e tij artistike kushtuar figurave kombëtare, duke dhuruar disa prej tyre me respekt për personalitete të pranishme.
Shoqata “Atdheu” shpall me krenari se Dita Kulturore Shqiptare do të organizohet sërish në vitin 2026, duke sjellë edhe më shumë gjallëri dhe krenari kombëtare.