Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me qendër në Cyrih të Zvicrës, njëherësh kryeredaktor i qendrës mediale sam24.info dhe kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”, PhD. Dashnim Hebibi, ka zhvilluar dje pas dite një vizitë miqësore në Komunën e Kamenicës, ku është pritur nga Kryetari i rizgjedhur, z. Kadri Rahimaj.
Në këtë takim të ngrohtë e vëllazëror, Dr. Hebibi ishte i shoqëruar nga miku i tij i afërt, veprimtari dhe unifikuesi i njohur i mërgatës e vendlindjes, z. Bejtë Topanica, Kryetar i Këshillit Lokal të Topanicës, një personalitet i respektuar që gëzon dashurinë dhe respektin e mërgatës sonë në Zvicër dhe më gjerë dhe Bekim Hebibi.
Uroj rizgjedhjen e Kryetarit Rahimaj dhe përcolli përshëndetje nga institucionet e diasporës
Gjatë takimit, PhD. Hebibi e uroi z. Rahimaj për rizgjedhjen në krye të Komunës së Kamenicës, duke i uruar suksese të reja në punën e tij për zhvillimin e komunës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Me këtë rast, ai i përcolli përshëndetjet e stafit të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, të qendrës mediale, si dhe të kryesisë dhe anëtarëve të Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” me qendër në Zvicër.
“Ne jemi shoqatë apolitike, por gjithmonë në shërbim të të mirës së përbashkët. E vlerësojmë punën, përkushtimin dhe vizionin e udhëheqësve lokalë që punojnë me sinqeritet për vendin e tyre”, – theksoi Hebibi gjatë takimit.
Propozime për bashkëpunim dhe mbështetje për banorët e Luginës së Preshevës
Duke pasur parasysh që Komuna e Kamenicës ndodhet afër kufirit me Bujanocin, presidenti Hebibi ngriti edhe çështjen e lehtësimit të procedurave për marrjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës për banorët e Luginës së Preshevës, si një hap domethënës për afrimin kombëtar dhe institucional të banorëve të kësaj treve.
Ai vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar, duke theksuar se lidhjet kulturore, shoqërore dhe ekonomike ndërmjet Luginës së Preshevës dhe Kamenicës duhet të thellohen përmes projekteve konkrete, sidomos në fushën e rinisë, arsimit dhe kulturës.
Vëmendje ndaj mërgatës dhe rinisë
Biseda mes presidentit Hebibi dhe kryetarit Rahimaj u zhvillua në frymë vëllazërore dhe mirëkuptimi të ndërsjellë. Kryetari Rahimaj shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar ngushtë me mërgatën, duke vlerësuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendit.
PhD. Hebibi, në emër të mërgatës shqiptare në Zvicër, theksoi nevojën që të krijohen module dhe ura bashkëpunimi ndërmjet rinisë së mërgatës dhe asaj të Kamenicës, në mënyrë që gjenerata e re të ndjejë lidhje më të fortë me vendlindjen dhe të kontribuojë në të ardhmen e saj.
“Na duhen politikanë të punës, e jo të zhurmës. Vetëm me bashkëpunim dhe sinqeritet mund të ndërtojmë të ardhmen e vendit tonë”, – deklaroi PhD. Dashnim Hebibi.
Mirënjohje dhe përshëndetje të veçanta
Në përfundim të takimit, presidenti Hebibi përshëndeti të gjithë kandidatët që morën pjesë në garën zgjedhore në Kamenicë, duke uruar që të punojnë së bashku për të mirën e qytetarëve, pavarësisht përkatësive politike.
Gjithashtu, ai përcolli përshëndetjet e prof. Burhan Morinës, një personalitet i njohur i mërgatës dhe një atdhetar i devotshëm, i cili e do me shpirt fshatin e tij të lindjes – Topanicën – dhe të gjithë Kamenicën.
Z. Hebibi e njoftoi Kryetarin Rahimaj edhe për punën e vazhdueshme që po zhvillohet në qendrën mediale, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë mes Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” dhe Shoqatës “Topanica”, por edhe me organizata të tjera në Kosovë dhe diasporë. Ai po ashtu propozoi që në Kamenicë të themelohet një “Muze i Diasporës”, i cili do të shërbente si simbol mirënjohjeje dhe kujtese për kontributin e çmuar të mërgatës brez pas brezi, duke ruajtur historinë dhe vlerat e saj për gjeneratat e ardhshme.
Bashkëpunim në shërbim të të mirës së përbashkët
Takimi përfundoi me një ndjenjë të fortë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë. U ra dakord që në të ardhmen të zhvillohen projekte të përbashkëta ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe shoqatat të mërgatës në Zvicër, në fushat e humanizmit, arsimit, kulturës dhe zhvillimit lokal. / Foto Bekim Hebibi