Mërgata drejt Kërçovës — Kërçova është dhe do të mbetet në duart e shqiptarit

Diaspora

Mërgata drejt Kërçovës — Kërçova është dhe do të mbetet në duart e shqiptarit

Nga: Dashnim Hebibi Më: 31 tetor 2025 Në ora: 22:47
Dashnim Hebibi

Vetëm pak orë na ndajnë nga zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut, që do të mbahen më 2 nëntor, në ato komuna ku gara ende nuk ka përfunduar dhe pritet balotazhi. Një nga komunat ku emocionet janë më të mëdha është Kërçova (Uskana) — qyteti simbol i rezistencës, i bashkimit dhe i zërit të fuqishëm shqiptar.

Në këtë garë të rëndësishme politike, qytetarët kërçovarë janë më të vendosur se kurrë që ta ruajnë fitoren e mundimshme të arritur me vite përpjekjesh. “Kërçova nuk duhet dhe nuk do të humbasë zërin shqiptar,” thonë banorët dhe veprimtarët që po mobilizohen çdo ditë për të sjellë sa më shumë votues në kutitë e votimit.

Një rol të veçantë në këtë proces po e luan mërgata shqiptare, e cila, si gjithmonë, po dëshmon se lidhjet me atdheun janë më të forta se çdo pengesë. Qindra bashkatdhetarë pritet të nisen gjatë fundjavës nga Zvicra, Gjermania, Austria, Italia e shtete të tjera evropiane, për të qenë pjesë e ditës së madhe të votimit.

Një nga veprimtarët e njohur të Kërçovës në diasporë, Florim Useini, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, ka konfirmuar për sam24.info se bashkë me dhjetëra bashkatdhetarë do të udhëtojë enkas drejt vendlindjes për të dhënë votën e tij.

E shtuna është ditë e veçantë për ne. Do të lëmë pas punën, përditshmërinë dhe shpenzimet, sepse kjo është më shumë se një votë — është një ndjenjë, një amanet dhe një detyrë ndaj atdheut,” — ka deklaruar Useini.

“Është koha t’i lëmë mënjanë inatet dhe hatërmbetjet. Kjo nuk është çështje partie, por çështje kombëtare. Është në pyetje një shqiptar, një simbol i përfaqësimit tonë,” shtoi ai. Sipas informacioneve që ka siguruar redaksia e sam24.info, shumë bashkatdhetarë do të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut me autobusë, vetura private dhe aeroplanë, me destinacione si Kosova, Shqipëria dhe aeroportet më të afërta me Kërçovën. Të gjithë me një qëllim të përbashkët: të japin kontributin e tyre për fitoren e shqiptarit në Kërçovë.

“Është dita jonë, dita e shqiptarëve të bashkuar. Ne duam të jemi bashkë dhe të fitojë bashkëkombasi ynë,” — shprehen me entuziazëm mërgimtarët.

Kërçova, qyteti me histori, kulturë dhe krenari shqiptare, po përgatitet për një ditë që mund të përcaktojë të ardhmen e saj. Me pjesëmarrjen e diasporës dhe mobilizimin e qytetarëve, mesazhi është i qartë:
Kërçova është dhe do të mbetet në duart e shqiptarit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat