Nga data 2 deri më 8 nëntor 2025, Shtetet e Bashkuara shpallën zyrtarisht Javën e Anti-Komunizmit—një mesazh i qartë dhe i prerë i administratës Trump kundër trashëgimisë komuniste.
Ndërsa SHBA e shënoi këtë javë me aktivitete përkujtimore, në Shqipërinë e drejtuar nga një qeveri socialiste, postkomuniste, ngjarja kaloi pa asnjë vëmendje. Madje, ambasada shqiptare në Washington, nën drejtimin e ambasadorit Ervin Bushati, zgjodhi të dërgojë ftesa për të festuar 28 dhe 29 Nëntorin, duke mbajtur gjallë nostalgjinë për një datë që për shumë shqiptarë përfaqëson fillimin e sundimit komunist.
Kjo tregon se, ndërsa Shtetet e Bashkuara përpiqen të theksojnë se në botën e sotme nuk ka vend për nostalgji ndaj komunizmit, disa struktura diplomatike shqiptare ende zgjedhin ta përkujtojnë atë, nën pretekstin se po nderojnë luftën kundër nazi-fashizmit.
Një detaj domethënës është se këtë vit ambasada amerikane në Tiranë nuk e përkujtoi fare 29 Nëntorin—një ndryshim i qartë që reflekton qasjen më të ashpër të administratës Trump ndaj simboleve komuniste.
Është e pakuptueshme që, në të kaluarën, personeli i ambasadës së SHBA në Tiranë, ose elementë të caktuar brenda saj, arrinin ta përfshinin 29 Nëntorin në kalendarin e përkujtimeve në faqet online.
Është absurde që 29 Nëntori—një datë që nga shumë shqiptarë shihet si ditë e errët, përçarëse dhe e lidhur me fillimin e një diktature 46-vjeçare—të përkujtohet nga ambasada e Shqipërisë në Washington, në vetë kryeqendrën botërore të anti-komunizmit.
Këtu nuk kemi të bëjmë me një keqkuptim historik, por me një zgjedhje të vetëdijshme për të ruajtur një narrativë që mban gjallë hijet e së kaluarës.
Për Shqipërinë, ky është një moment reflektimi i domosdoshëm: a do të orientohet drejt vlerave demokratike të së ardhmes apo do të vazhdojë të mbajë të gjallë simbolet e një të kaluare që solli vuajtje të panumërta?
Përkujtimi i 29 Nëntorit, në një kontekst ku nostalgjia për komunizmin ende ekziston, është më shumë se një çështje simbolike. Është një test për shoqërinë shqiptare dhe diplomacinë e saj: a jemi gati të ndajmë qartë lirinë nga shtypja?
Ambasada në Washington
Kjo histori ka trazuar komunitetin shqiptaro-amerikan. Ambasada e Shqipërisë në Washington DC, personalisht ambasadori Ervin Bushati, shpërndau ftesa për një event diplomatik duke përfshirë 29 Nëntorin si festë zyrtare dhe duke rikthyer në vëmendje trashëgiminë e diktaturës komuniste edhe në diasporë.
Ambasadori Bushati, i emëruar në vitin 2023, ftoi komunitetin në një pritje festive për “81-vjetorin e Çlirimit (1944)”—një datë që nën regjimin e Enver Hoxhës shënonte “çlirimin” nga nazi-fashizmi, por që sot shihet nga shumë shqiptarë si dita kur nisi pushtimi komunist.
Veprimtaria, e zhvilluar më 2 dhjetor 2025, ndezi menjëherë kritika të ashpra në rrjetet sociale dhe në komunitet, duke u cilësuar si “regres drejt së shkuarës së errët”.
29 Nëntori ende mbetet festë zyrtare dhe ditë pushimi në Shqipëri, por debati rreth saj është i pandërprerë që nga viti 1991. Opozita në Shqipëri ka kërkuar shpesh heqjen e saj si festë, duke e lidhur me fillimin e izolimit dhe represionit komunist.
Në SHBA, ku jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë, veprimi i ambasadës u pa si fyerje sidomos nga diaspora e vjetër, prindërit e së cilës shpesh u larguan pikërisht për t’i shpëtuar regjimit të Hoxhës.
“Është e papranueshme që një ambasador i Republikës së Shqipërisë të promovojë simbolet e diktaturës në zemër të demokracisë,” shkroi një ish-i arratisur politik, duke marrë mijëra reagime dhe mbështetje.
Ambasada, e drejtuar nga Bushati—ish-deputet i Partisë Socialiste dhe kryetar i degës së Tiranës—argumentoi gjatë festës së Vatrës se eventi synonte të nderonte “histori të përbashkët” dhe lidhjet kulturore, pa theksuar aspektin ideologjik.
Megjithatë, ftesat e dërguara me logo zyrtare, ku 29 Nëntori paraqitej si “Dita e Çlirimit – 81 vjet”, rikthyen kujtime të hidhura për shumë të pranishëm.
Burime nga rrjetet sociale tregojnë se pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan të organizuar në shoqata antikomuniste kanë reaguar me një letër të hapur drejtuar Ministrisë së Jashtme në Tiranë duke kërkuar sqarime.
“Kjo nuk është diplomaci, por nostalgji për Enverin,” thuhet në letër, ku nënvizohet se 28 Nëntori—Dita e Pavarësisë—është simboli i vërtetë i lirisë, jo 29 Nëntori, data e debatueshme e instalimit të regjimit komunist.
Në nëntor 2021 Ish-gazetari i VOA, Ilir Ikonomi ka reaguar ashpër ndaj urimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë në 29 nëntor për 77-vjetorin e Çlirimit.
Në komentin e tij në faqen e Facebook të ambasadës, Ikonomi thekson se e ashtuquajtura Dita e Çlirimit nuk është uruar asnjëherë nga zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit.
Ikonomi kërkonte që ambasada amerikane të kërkojë falje ndaj të gjithë atyre që kanë vuajtur nga represioni komunist në Shqipëri.
‘Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e kanë uruar asnjëherë këtë të ashtuquajtur Ditë e Çlirimit të Shqipërisë. Sipas mendimit tim modest, ky ishte një gabim i madh diplomatik nga ana juaj dhe atyre, që kanë vuajtur nga represioni komunist në Shqipëri’, i keni borxh një ndjesë të madhe, sa më shpejt të jetë e mundur’, shkruan Ikonomi në faqen e Ambasadës Amerikane në Facebook.
Konteksti më i gjerë
Ky incident vjen në një kohë kur Shqipëria përgatitet për Konferencën e Ambasadorëve “Diplo 2025”. Kritikët e lidhin këtë episod me qeverinë aktuale, duke e akuzuar për mungesë të distancimit të qartë nga e kaluara komuniste.
Sipas një raporti të Institutit të Studimeve Politike, mbi 60% e shqiptarëve mendojnë se 29 Nëntori duhet të zëvendësohet me një ditë të re kushtetuese.
Interesante është se edhe ambasada e Serbisë në Washington festoi këtë vit 81-vjetorin e “çlirimit”. Por, siç shkruajnë komentuesit shqiptarë, në rastin e Shqipërisë kjo ngre pyetje serioze për marrëdhëniet me SHBA dhe rrezikun e zbehjes së mbështetjes amerikane për integrimin europian të vendit.
Në mesazhet e përvitshme të Sekretarit Amerikan të Shtetit për 28 Nëntorin—Ditën e Pavarësisë—nuk përmendet kurrë 29 Nëntori.
Për diasporën e vjetër, plagët janë ende të hapura:“Ne festojmë me dekada vetëm Pavarësinë, jo ‘çlirimin’ që solli zinxhirë të rinj,” thotë një ish-i arratisur.
Reminishencat e komunizmit nuk zhduken lehtë. Por ironia është se debati shpërtheu pikërisht gjatë Javës së Anti-Komunizmit në SHBA