Bienalja e Venecias dhe bashkëbisedimi institucional me aktivistët e mërgatës në Treviso

Diaspora

Bienalja e Venecias dhe bashkëbisedimi institucional me aktivistët e mërgatës në Treviso

Nga: Gëzim Muçolli Më: 11 maj 2026 Në ora: 12:20
Foto nga vendi i ngjarjes

Hapja e ekspozitës ndërkombëtare të artit “La Bienale di Venezia” është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për publikun,  por edhe për pjesëmarrësit me veprat e tyre të vlerësuara nga juria. Edicioni i 61 i Bienales që do të zgjatë deri me 22 nëntor, solli në Venecia artistë nga 100 vende të botës, e në mes tyre edhe nga  Republika e Kosovës, e cila po prezentohet me projektin “Dhëmbë të fortë” të artistit Brilant Milazimi, i cili  ndërlidh me sukses kujtesën mbi shtresimet e kujtesës mbi realitetin duke reflektuar përvojën, identitetin dhe të sotmen me elementet e qëndrueshmërisë, si përvojë që ofron edhe mundësi dialogu me vizitorët.

Inaugurimi i Pavijonit të Kosovës në Kishën Santa Maria del Pianto solli edhe delegacionin zyrtar të Shtetit të Kosovës të udhëhequr nga ministrja e Kulturës dhe turizmit Saranda Bogujevci, me ç’rast patën takime edhe me homologë nga vende tjera që kishin ardhur për hapjen e Bienales.

Nga Venecia e Bienales dhe që është kryeqytet i Regjionit Veneto, ministrja e kulturës e shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, zonja Nita Shala shkuan në Quinto di Treviso për të marrë pjesë në një takim me aktivistë dhe afaristë të mërgatës shqiptare në veriun e Italisë ku ndodhet përqindja më e madhe e qytetarëve të ardhur nga Kosova.

Pas pritjes solemne të organizuar nga Shoqata kulturore “Shën Nëna Tereze” filloi bashkëbisedim i hapur, konstruktiv dhe i sinqertë në lokalet e Parrokias së Quinto di Trevizo,

Mikpritësi i këtij takimi, z. Bajram Desku, kryetar i Shoqatës së mirënjohur nga Trevizo, duke i shprehur mirëseardhje mysafirëve të nderuar nga Kosova, foli për realitetin e mërgatës e cila ka shënuar hapa të mëdhenj të integrimit në vendet ku jeton. Ai foli për aktivitetet e shoqatave kulturore dhe humanitare që organizojnë edhe mësimin e gjuhës amtare në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe që i organizojnë me nxënës të vegjël. Rëndësi të veçantë i kushtoi edhe projekteve të realizuara në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ato kosovare ku pika më e lartë ishte binjakëzimi i Komunës Quinto di Treviso me komunën e Klinës. 

Pastaj edhe vepra tjera si shtatorja votive në bronx e shenjtores shqiptare Nënë Tereza dhe simbole tjera, që pasurojnë sheshin me të njëjtin emër, si dhe kontributin human të komunitetit të afaristëve kosovarë ndihmë solidare regjionit Veneto gjatë përballjes me pandeminë e kovidit. Ai përmendi edhe hapjen e Zyrës mobile të Konsullatës së Kosovës në Treviso falë angazhimit të mërgimtarëve dhe përkrahjes së konzullit të respektuar nga Milano z. Diamant Kastrati si dhe ndihmës së vëllezërve Bashota, që ofruan gratis lokalet e tyre për Zyrën konzullore, e cila për të qenë më funksionale në shërbim të misionit të vet duhet të bëhet e përhershme.

Ambasadorja e Kosovës Nita Shala e cila moderoi me sukses takimin e hapur dhe spontan me mërgimtarët, shprehu falenderimin e saj për organizatorin dhe veprimtarët për punën e palodhshme që bëjnë çdo ditë për të ruajtur dhe çuar përpara vlerat tona kulturore dhe historike. Ajo foli edhe për motivin e ardhjes në Veneto bashkë me ministren e kulturës, pikërisht për të hapur për herë të shtatë prezencën e Kosovës në Bienalen e Venecias dhe dëshirën për të takuar edhe mërgimtarët që po punojnë denjësisht në projektet integruese dhe ruajtjen e vlerave të vërteta të trashëgimisë sonë kombëtare.

E ftuar të merr fjalën, ministrja e kulturës dhe turizmit Saranda Bogujevci, e cila në fillim foli për rëndësinë e pjesmarrjes së Kosovës në Bienalen e Venecias dhe i ftoi të gjithë që ta vizitojnë Pavijonin e Republikës së Kosovës. Duke folur për punët dhe sfidat e ministrisë me projekte të rëndësishme në vendlindje, ajo ftoi mërgimtarët  në realizimin e mundësive për të bashkëpunuar. Duke folur për aspektin zyrtar të funksionit të saj aktual dhe të atyre paraprake, përfshirë edhe rolin si udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku vlerësoi rolin e madh që ka luajtur Italia në favor të Kosovës. Krahas punës së Ambasadës dhe Konzullatës ne mundohemi të bashkëpunojmë sa më shumë edhe me qytetarët tonë të mirëintegruar që kanë kontakte, bashkëpunim dhe influencë në nivele të politikëbërjes brenda shtetit mikpritës, që të kemi sukses. Pastaj duhet punuar që sa më parë të realizohet edhe qendra kulturore në Itali për të qenë institucion i rëndësishëm zyrtar përfaqësues dhe integrues edhe i shkollave, në bashkëpunim me ministrinë e jashtëme.

E ftuar në bisedë zonja Liza Gashi ish ministre e punëve të jashtme dhe deputete në legjislatrën e fundit, foli për punën institucionale të kryer për të gjetur forma dhe mënyra të veprimit bashkë me institucionet e Shqipërisë, duke u ndërlidhur edhe me iniciativa nga Lugina e Preshevës dhe Maqedonia, që të adresohen institucionalisht të gjitha tematikat që i prekin të gjithë mërgimtarët. Ajo theksoi rolin aktiv i mërgatës në mirëqenien kombëtare dhe historike, duke kushtuar vëmendje edhe rrethanave që krijuan mërgatën e re nga largimi i detyrueshëm në kohën e luftës deri te mërgimi për studim apo kërkimi i mundësive për punësim jashtë vendit. Këtu përmendi tri pika kryesore: 1. kemi modelin por na duhet bashkëpunim dhe punë me arritë me e promovue, 2. kemi hapësirë për ndërveprim jo vetëm me vendin e origjinës por edhe brenda Italisë dhe në vendet tjera, duke u bazuar edhe në të dhënat zyrtare ku kemi rreth njëmijë shoqata kulturore që veprojnë në mesin e mërgatës në botë duke dhënë kontributin e tyre në impaktin kulturor për atdheun dhe 3. kemi edhe marrëveshtje ndërshtetërore me Shqipërinë edhe të jesh mërgimtar është një përgjegjësi kolektive sepse ne jemi një diasporë.

Kemi programe për reintegrimin e të rinjëve kosovarë që janë rritur dhe kanë studiuar jashtë, duke i punësuar për një vit në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe programin e diplomacisë qytetare.

Edhe rikthimi në mënyrë automatike i nënshtetësisë kosovare për qytetarët tonë është arritur me ato shtete ku përpara qytetarët tonë kanë qenë të detyruartì të heqin dorë me arritjen e nënshtetësisë së huaj.

A jo kërkoi nga të pranishmit bashkëpunim më të madh për të realizuar kushte sa më të mira për gjeneratat e reja dhe për progresin e mërgatës dhe të raporteve me autoriteteve italiane.

Në vazhdim ambasadorja Nita Shala hapi bashkëbisedimin me veprimtarët duke ftuar të parin Gëzim Muçollin, i cili njohtoi mysafirët dhe të pranishmit me aktivitetet e dendura të komunitetit të mërgatës kosovare për hapjen e zyrës konzullore. Pritjet për të realizuar këtë projekt që nga institucionalizimi i kërkesës te institucionet e republikës kanë zgjatur rreth 12 vite deri në hapjen solemne të Zyrës mobile konsullore me 20 tetor 2024 në Treviso. 

Poashtu edhe kërkesa për hapjen e Qendrës Kulturore të Republikës së Kosovës ka filluar qysh në Takimin institucional me mërgatën kosovare në prill të vitit 2013 në Treviso, në kohën kur qeveria pat hapur disa sosh në shtete të ndryshme, por Italia u la anash. Duke arsyetuar nevojën dhe kërkesën për hapjen e Qendrës, ai u kërkoi të bashkërenditin veprimin për hapjen e saj. Pavarësisht dashurisë kombëtare dhe bashkimit kombëtar, duhet kritikuar qasjen e institucioneve shtetërore shqiptare sepse Shqipëria ka pasur kohë mbi 35 vite për të hapur Qendrën Kulturore e nuk kanë punuar, prandaj nuk e kemi luksin për të pritur ende.

Ai foli edhe për kërkesat e italianëve të interesuar që të organizojnë vizitat turistike, shkencore, arkeologjike në Prishtinë dhe Kosovës dhe pyeti sa mund ti përgjigjet Kosova me kapacitete hoteliere. Poashtu edhe për mundësinë e kontributit të mërgatës në lidhjen e institucioneve tona me komitetin e projektit tashmë të realizuar me sukses “Padova Urbis Picta”, për të ndihmuar hyrjen e Kosovës në Unesko, si dhe mundësinë e angazhimit të firmave të afaristëve kosovarë në Itali në realizimin me sukses të projekteve madhore të Lojrave Mesdhetare Olimpike “Prishtina 2030”.

Edhe kërkesën për përfundimin e projektit kulturor, librit me esenë “Udhëtimi i Besnikut” i shkruar nga mjeku dhe shkrimtari italian Roberto de Rosa, i cili duke shtjelluar me art epik, marshutën e refugjatëve nga Mitrovica gjatë luftës së fundit, u shpërblye me vendin e parë në konkursin letrar prestigjoz Premio Cronin, të cilin tashmë e kemi përkthyer në dhjetë gjuhë.

Poashtu edhe mundësinë e organizimit të një konference shkencore me pjesmarrjen e Universitetit të Prishtinës, Tiranës dhe Padovës kushtuar Pjetër Bogdanit dhe veprës së tij “Çeta e profetëvet” e publikuar në Padova para më shumë se treqind vitesh dhe ngritja e një busti apo një pllake përkujtimore që shënon kontributin e tij madhor për kulturën shqiptare.

Për përvojat dhe sfidat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe foli Ragip Thaqi, kryetar i Këshillit të Mësuesve Shqiptarë të Regjionit Veneto, duke shpaluar kontributin e shoqatave dhe shkollave në ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke filluar nga viti 2001 në Bassano del Grappa. Numri i nxënësve dhe interesimi i prindërve, por edhe sigurimi i librave nga institucionet shtetërore si dhe mbështetja vullnetare financiare nga bisneset e bashkatdhetarëve tonë, kanë mundësuar të mos ndalemi asnjëhere edhe përballë vështirësive reale. Ai poashtu kërkoi që të riniset me projektet e eskursioneve dhe e organizimit të kampeve verore për nxënësit shqiptarë nga mërgata duke qenë një investim i drejtëpërdrejtë dhe njohja më e mirë me atdheun e fëmijëve që janë lindur dhe rritur jashtë.Poashtu ai ftoi që herave tjera të organizohen takime edhe në qytetet tjera të Venetos ku veprojnë edhe shoqatat tjera.

Ambasadorja Shala ftoi në bashkëbisedim edhe zonjën Miradie Zymeri-Avdullahu, nga Shoqata Kulturore “Ardhmëria” nga Arzignano të Viçencës e cila tregoi për sukseset e arritura në shkollë dhe shoqatën më të re qysh nga fillimet e saj, si dhe për bashkëpunimet e suksesshme të realizuara dhe falenderoi komunitetin dhe prindërit për përkrahjen e tyre.

Në vazhdim ministrja Bogujevci, deputetja dhe ish zëvendsministrja Gashi si dhe zëvendës ministrja e parë e kulturës zonja Nora Arapi-Krasniqi u përgjegjën në temat e hapura gjatë këtij bashkëbisedimi të vlefshëm, duke shtjelluar vijat e ndërlidhura të aktiviteteve institucionale dhe mundësitë e ndërveprimit me mërgatën dhe aktivistët e saj.Poashtu edhe për projekte të investimeve në ruajtjen e trashëgimisë kulturore që tani mund të vizitohen nga të gjithë si në site arkeologjike në Dresnikut. Ulpianës, etj. si pjesë e pasurisë tonë kombëtare, e poashtu edhe përpjekjen për futjen në Unesko.

E fundit mori fjalën edhe studentja-artiste e dalluar Erza Kryeziu e cila foli për përvojën e saj edhe në forumin lokal të trashëgimisë kulturore në vendin e lindjes në Suharekë si dhe në studime në Akademinë e arteve në Prishtinë, si dhe përvojën e arritur me paraqitjen në ekspozita arti me karakter ndërkombëtar. Duke dashur të jep një kontribut në multikulturalizëm,  ajo kërkoi të përkrahen projektet e tilla duke mos u ndalur asnjëherë të jep kontributin në vlerësimin e arritjeve artistike të brezit të ri të artistëve në Itali.

Në mbyllje grupi artistik i valleve i Shoqatës kulturore “Shën Nëna Terezë” i udhëhequr nga korreografi i mirënjohur Muamer Murtezani, shfaqi program artistik si dhe Maestro Murtezani njohtoi të pranishmit me historinë dhe traditën e valleve shqiptare dhe mesazhi i fuqishëm që përcjellin ato duke i dhënë karakter dinamik mesazhit universal të brezit të ri që u rritën në mërgim pa harruar asnjëherë origjinën e familjes së vet. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat